Zhvillime të reja nga takimi i fundit i Kolegjiumit të Planifikimit Hapësinor

18/06/2019

Asociacioni i Komunave te Kosovës i mbështetur nga Programi për Zhvillim Gjithëpërfshirës i UN-Habitat sot mbajti mbledhjen e rregullt me Drejtorët e Urbanizmit nga Kolegjiumi i Planifikimit Hapësinor të Komunave të Kosovës. Në këtë takim u diskutua dhe u prezentua pyetësori online për “Vlerësimin e GIS në komunat e Kosovës”. Pikat kryesore të diskutimit këtu ishin: prezantimi, gjetjet dhe metodologjia e pyetësorit.

Një panel i caktuar diskutoi Hartën Zonale Komunale dhe procesin e zhvillimit të saj si dhe sfidat kryesore dhe mësimet që komunat kanë marrë gjatë kalimit në këtë proces. Përfaqësues nga komunat e Vushtrrisë dhe Fushë Kosovës diskutuan rëndësinë që Ekipi Komunal i Planifikimit ka në hartimin e Hartës Zonale të Komunës. U ndanë eksperienca dhe mendime rreth angazhimit të kompanive konsulente në këtë proces si dhe hapat përfundimtar që përfshijnë dëgjimet publike me qytetarët për të pranuar sugjerime nga ta dhe të njëjtat të përfshihen në verzionin final të Hartës Zonale të Komunës. Shkëmbime të mëtutjeshme do të bëhen në këtë temë që zgjoi shumë interes dhe komente mes komunave prezente.

Në fund të takimit, u propozua të bëhet vlerësimi i sfidave ditore të departamenteve të urbanizmit në komunat e Kosovës me qëllim që të shqyrtohen disa prezentime apo aktivitete specifike.