31/03/2021
Krerët e agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe Koordinatori për Zhvillim për Kosovën së fundi zhvilluan takimin e tyre të parë me Kryeministrin e sapo zgjedhur të Kosovës, z. Albin Kurti dhe Presidentin në detyrë dhe Kryetarin e Kuvendit, z. Glauk Konjufca, përfshirë Ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitija, si dhe përfaqësues të tjerë të lartë të qeverisë.
Kryeministri Kurti dhe Kryetari Konjufca vlerësuan partneritetin e UN-Habitatit me komunat veriore në procesin e integrimit të tyre në kornizën e planifikimit hapësinor në të gjithë Kosovën. Nën Programin për Zhvillim Gjithëpërfshirës të mbështetur nga Qeveria e Suedisë, UN-Habitati dhe partnerët e tyre po ofrojnë ndihmë teknike për komunat e Kosovës në rrugën e tyre për të zhvilluar përafrimin lokal-qendror me kornizën e planifikimit për tërë Kosovën. Projekti i Investimeve Kapitale të Programit mundëson zbatimin e këtyre dokumenteve të planifikimit përmes investimeve të bashkëfinancuara në infrastrukturat praktike komunale dhe ofrimin e shërbimeve me ndikime pozitive në jetesën dhe mirëqenien e njerëzve, si dhe rezultate të përmirësuara të klimës dhe mjedisit.
Kryeministri dhe Kryetari shprehën më tej rëndësinë e punës së UN-Habitatit me Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës në banim social. Investimet në banesa sociale hapin mundësi të mëdha për të mbështetur rregullimin më efektiv të të gjithë sektorit të banimit në Kosovë, veçanërisht sigurimin e banimit dhe integrimin socio-ekonomik për familjet e riatdhesuara, të rrezikuara dhe me të ardhura të mesme.
Takimi ishte një mundësi e rëndësishme për të ripërtërirë angazhimin për të rritur rolin e UN-Habitatit në avancimin e rolit të qyteteve dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në përputhje me integrimin evropian.