Mbahet punëtoria për Vlerësimin e Planit Zhvillimor Komunal të Mamushës në kuadër të hartimit të Hartës Zonale

09/08/2019

Gjatë javës së dytë të korrikut, Komuna e Mamushës, mbështeur nga zyra e UN-HABITAT-it në Kosovë, ka mbajtur një punëtori 3-ditore në Manastir, Maqedoni e Veriut.

Qëllimi kryesor i këtij eventi ishte Vlerësimi i Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) të Mamushës (2014-2023), ku tregohet vlefshmëria ligjore dhe konceptuale e dokumentit të PZHK-së për të kaluar në fazën e ardhshme të zhvillimit të Hartës Zonale të Komunës (HZK). Rreth 30 zyrtarë (Kryetari i Mamushës, staf komunal nga departamente të ndryshme, përfaqësues të kompanive publike regjionale dhe organizatave të shoqërisë civile) morën pjesë në arritjen e objektivave të kësaj punëtorie, duke përfshirë gjithashtu përfaqësues nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Instituti për Planifikim Hapësinor (IPH).

Punëtoria filloi me një fjalim mirëseardhjeje, duke vazhduar me një sesion informues mes stafit komunal dhe mbështetësve. Dita e parë nisi me prezantime nga përfaqësues të MMPH-së dhe UN-HABITAT-it të cilët adresuan Kornizën Ligjore të PZHK dhe HZK, përvojat e mëhershme në proceset planifikuese dhe aspekte tjera të vlerësimit.

Aktiviteti i dytë i ditës ishte ndarja e pjesëmarrësve në 7 grupe punuese ku secila përfaqësonte një fushë tematike lidhur me Kornizën për Vlerësimin e Qëndrueshmërisë (Planifikimi Urban dhe  Tokës, Hapësira Publike, Parcelat dhe Blloqet, Të Drejtat Zhvillimore, Kodet e Ndërtimit, Financat e bazuara në tokë, Grafikonet). Ky aktivitet kishte për qëllim familjarizimin e pjesëmarrësve me metodologjinë e vlerësimit të qëndrueshmërise si dhe, përdorimin e kësaj metodologjie për vlerësimin e qëndrueshmërisë të proceseve dhe dokumenteve planifikuese. 

Dita e dytë dhe e tretë ishin tërësisht të dedikuara për vlerësimin e të dhënave dhe identifikimin e aktiviteteve/shërbimeve të realizuara. Dita e dytë ishte paraparë të ndahej në dy sesione: (1) Vlerësimi i të dhënave të profilit të PZHK-së dhe (2) Vlerësimi i zhvillimit të planifikuar të PZHK-së.  Të ndarë sërish në shtatë grupe, pjesëmarrësit punuan me temat përkatëse të identifikuara në dokumentin komunal si: Struktura e PZHK+Infrastruktura Teknike/sipërfaqet, Vendbanimet+ Infrastrukutra e banimit, Demografia + Infr. Ekonomike/Ndërmarrj.+Bugjeti, Infrastruktura Publike/Sociale, Infrastruktura dhe Shërbimet Teknike, Infrastruktura e Transportit Publik, Trashëgimia Kulturore dhe Natyrore + Mjedisi.

Dita e fundit vazhdoi me formimin e gjashtë grupeve të tjera të cilat punuan mbi identifikimin dhe vlerësimin e aktiviteteve/shërbimeve të realizuara për secilën fushë tematike dhe objektivë të PZHK-së.  Temat të cilat u trajtuan janë: Zhvillimi social, Zhvillimi ekonomik, Infrastruktura e transportit publik, Infrastruktura teknike, Shfrytëzimi i tokës, vendbanimet dhe banimi, Mjedisi, trashëgimia dhe vlerësimi i rrezikut dhe menaxhimit të fatkeqësive.

Gjetjet e secilit grup diskutoheshin dhe prezantoheshin në fund të çdo sesioni ditor. Rezultatet e nxjerra nga ky vlerësim tregojnë se PZHK-ja e tanishme është zbatuar pjesërisht. Objektiva e vetme e cila figuron të ketë pasur zbatueshmëri të lartë është ajo e infrastrukturës rrugore ku shumica e projekteve janë realizuar nga Komuna. Përkundër këtyre gjetjeve, validiteti i dokumentit deri në vitin 2023 i jep kohë komunës të rris përqindjen e zbatueshmërisë së objektivave, duke përfshirë aktivitetet dhe shërbimet e parapara në PZHK. Si përfundim, pritet që të gjitha rezultatet e nxjerra nga ky vlerësim të mblidhen dhe përpunohen në një raport gjithëpërfshirës, midis tyre edhe rekomandimet finale për hapat e mëtejshëm që duhet ndërmarrë në lidhje me procesin e hartimit të Hartës Zonale të Komunës. Veç kësaj, UN-Habitat dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor shprehën gatishmërinë e tyre për t’i ofruar Komunës së Mamushës mbështetje drejt hartimit të dokumenteve planifikuese.