Shqyrtimi publik është vetëm njëri ndër hapat kryesor të hartimit të planeve hapësinore e urbane, në të cilin pjesëmarrësit e ndryshëm kanë mundësinë e fundit për të ofruar komentet e tyre, ngrisin çështjet dhe propozojnë ndryshime. Edhepse shqyrtimit publik i është dhënë një vëmendje e veçantë në këtë fletushkë, pjesëmarrja publike është rrënjosur në gjithë procesin e përgatitjes së planeve hapësinore dhe urbanistike dhe është reflektuar edhe në Ligjin për Planifikim Hapësinor i aprovuar më 2003. Qasja e re në planifikimin hapësinor dhe urban është në përputhshmëri më parimet e pranuara ndërkombëtare për zhvillim urban dhe qeverisje të mirë dhe vë theks të veçantë në parimet si: transparenca, zhvillimi i qëndrueshëm, pjesëmarrja publike dhe gjithpërfshirja, ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë pa dallim moshe, gjinie, etniteti etj.