Projekti për Planifikimin e Bazuar në Lagje/Komunitet (PBK) u inicua në vitin 2017 si kërkesë nga Komuna e Mitrovicës Jugore, e cila identifikoi një zonë përgjatë bregut të lumit Ibër (brenda territorit të saj urban) si zonë strategjike për zhvillimin e komunës. Lagjet e përfshira në këtë zonë janë lagjja Fidanishte, Rome, Ilirida, Qendra dhe Zhabari i Poshtëm. Secila nga këto lagje është e ndryshme për nga karakteristikat hapësinore, përmbajtësore dhe socio-ekonomike; megjithatë, zhvillimet e hovshme të kohëve të fundit në tërë zonën janë duke ndikuar në secilën prej tyre. Si pasojë, këto zhvillime duhet të koordinohen dhe orientohen drejt një vizioni të përbashkët zhvillimor, ashtu që secila lagje të përfitojë e jo të penalizohet nga to. Me qëllim të zhvillimit më të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të lagjeve, komunitetet e tyre duhet domosdo të përfshihen në proceset e diskutimit dhe planifikimit. Vetëm duke përfshirë zërat e banorëve rreth nevojave dhe kërkesave përkatëse do të mund të krijohet një vizion i përbashkët për të ardhmen, i bazuar në vlera dhe prioritete të lagjeve, i cili përveç se do të ofrojë zgjidhje reale dhe lehtësisht të zbatueshme, do të forcojë edhe ndjenjën e përkatësisë, pronësisë dhe përgjegjësisë të komuniteteve lokale.