Lajme dhe Ngjarje

Kremtimi i Ditës së Habitat-it 2007

Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka caktuar të hënën e parë të tetorit të çdo viti që të jetë Dita Botërore e Habitat-it, ditë për të reflektuar për gjendjen e vendbanimeve njerëzore dhe për të drejtën themelore të të gjithë njerëzve që të kenë strehim adekuat. Kjo ditë po ashtu ka për qëllim që t’ia përkujtojë gjithë botës përgjegjësinë kolektive për të ardhmen e vendbanimeve të njeriut. Tema e kësaj dite të shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për të reflektuar mbi gjendjen e vendbanimeve njerëzore në mbarë botën për ketë vit është Qyteti i sigurt është edhe qytet i drejtë.  

 

Tema e këtij viti e paraqet një sfidë shumë të madhe si për qeveritë e qyteteve ashtu edhe për qeveritë kombëtare dhe është zgjedhur me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe inkurajimit të njerëzve që të reflektojnë mbi kërcënimet gjithnjë e më të mëdha ndaj sigurisë urbane dhe drejtësisë shoqërore, veçanërisht në reflektimin mbi krimin dhe dhunën urbane, mbi dëbimin me forcë dhe mbi pasigurinë e zotërimit të pronës, si dhe mbi fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu.

 

Periudha e tranzicionit nëpër të cilën po kalojnë qytetet e Kosovës që prej përfundimit të luftës, solli me vete shumë sfida të mëdha për zhvillimin urban. Për çdo ditë jemi dëshmitarë të krimeve dhe dhunës që ndodh, madje edhe në qendrat e qyteteve; çdo ditë shohim që vendbanimet joformale po bëhen pamje e zakonshme në periferitë e qyteteve, të cilave në disa raste u mungon edhe qasja në infrastrukturë dhe në shërbime të tjera publike si dhe u mungon siguria e zotërimit të pronës; çdo ditë shohim shtëpi që ndërtohen në zonat që mund të përmbyten nga uji; shohim të rinj që sillen vërdallë nëpër rrugë, gjë që e tregon nivelin e papunësisë. Të gjitha këto shkaqe shpijnë drejt humbjes dhe dëshpërimit dhe shkaktojnë sjellje të shumta antisociale (siç janë krimi, prostitucioni, përdorimi i drogës, etj). Por qytetet janë edhe vendet më të përshtatshme për të parandaluar krimin dhe për të zvogëluar pasigurinë. Prandaj, planifikimi dhe zhvillimi urban luan një rol vendimtar në sigurimin e një qyteti të sigurt dhe të drejtë. Përmes krijimit të një qasjeje për planifikim urban strategjik dhe përmes përfshirjes së palëve kyçe të interesit dhe përgjithësisht qytetarëve në zhvillimin e planeve hapësinore komunale dhe urbane, Programi i UN-HABITAT-it për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal në Kosovë (MuSPP), i përkrahur nga Qeveria Suedeze/ Sida, është duke promovuar një planifikim urban i cili përfshinë edhe parandalimin e krimit, uljen e numrit të fatkeqësive dhe i cili siguron zona më të mira dhe më të sigurta për të jetuar.

 

Me rastin e festimit të Ditës Botërore të Habitatit, UN-HABITAT-i në Kosovë organizon një varg aktivitetesh për të pasqyruar ngritjen e vetëdijes për rëndësinë që ka siguria për një qytet. Këto aktivitete përfshijnë:

 

Gjilan: Mbahet debat publik në temën “Qyteti i sigurt është edhe qytet i drejtë”, në të cilin përfaqësuesit e komunës së Gjilanit, të KFOR-i, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, të OSBE-së, përfaqësuesit e Shërbimit Policor të Kosovës do të diskutojnë rreth sigurisë në qytet. Debati po ashtu do t’iu jep mundësinë 70 fëmijëve dhe mësuesve të tyre që të marrin pjesë në diskutim dhe që të shprehin shqetësimet e tyre rreth sigurisë në shkollë, përmes formave të ndryshme të shprehjes si vizatimet, poezitë, aktrimit, etj. Debati mbahet në Sallën e Kuvendit Komunal me 1 tetor 2007 nga ora 10:30 deri në 12:45.

 

Prizren: Organizohet një manifestim për shënimin e Ditës Botërore të Habitatit me qytetarët dhe nxënësit me aftësi të kufizuara, duke iu dhënë atyre mundësinë që të shprehin idetë e tyre mbi atë se si i shohin ata pengesat dhe sfidat e tanishme në mjedisin ku jetojnë dhe si e shohin ata aspektin e sigurisë në kuadër të zhvillimit të qytetit të tyre në të ardhmen. Manifestimi mbahet në objektin e Handikosit në Prizren nga ora 11:00 - 13:55.

 

Gjakovë: Komuna dhe UN-HABITAT-i do të shënojnë Ditën Botërore të Habitatit me diskutime dhe me hulumtim të opinionit mbi hapësirat e sigurisë publike, duke u përqendruar në Parkun e Qytetit të Gjakovës dhe funksionet e shumta potenciale të tij për grupet e ndryshme sociale dhe për moshat e ndryshme. Qytetarët, duke përfshirë edhe të rinjtë dhe nxënësit do të takohen me zyrtarët komunalë në ora 10:00 në Parkun e Qytetit për të ngritur zërin dhe për të shprehur mendimet e tyre për atë se si do të dëshironin ata të shfrytëzonin këtë hapësirë publike. Pas kësaj do të zhvillohet një debat në restorantin Scorpion nga ora 11:15.

 

Pejë: Një takim konsultues me palët e interesit të Mobilitetit do të mbahet me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Habitat-it, në zyren e Kryshefit Ekzekutiv me fillim në ora 13:00-14:15. Takimi do të shërbejë për të diskutuar çështjet e staciont të hekurudhës si dhe planet për zhvillimin e Qendrës së Mobilitetit në Pejë si dhe propozimin për Rrjetin e autobusë Urban. Ky aktivitet ka është i lidhur me inaugurimin e linjës hekurudhore Prishtinë-Pejë, andaj në mëngjesin e 1 Tetorit, Kryeshefi Ekzekutiv I shoqëruar me disa zyrtarë komunalë do të udhëtojnë me tren nga Prishtina në Pejë. Treni do të niset në ora 10:00 nga stacioni hekurudhor i Prishtinës.  

 

Këto manifestime janë të hapura për publikun prandaj ftohen të gjitha mediat që të marrin pjesë. 

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje