Programet

Pse është i rëndësishëm planifikimi urban dhe hapësinor

Kosova, si shumë vende tjera në mbarë botën, ka nevojë që ta gjejë mënyrën e saj për t’u përballur me urbanizimin në mënyrë që këtë trend global ta bëjë të përshtatshëm për zhvillimin e qëndrueshëm, ku kombinohen zhvillimi ekonomik dhe shoqëror me mbrojtjen e mjedisit natyror. Konflikti ushtarak i vitit 1999 ka lënë gjurmë në historinë e Kosovës dhe qytetarëve të saj, si dhe ka ndikuar në kuadrin politik dhe ekonomik. Migrimet pas këtij konflikti i sollën shumë njerëz nëpër qytete në kërkim për punë, kushte më të mira për jetesë dhe ambient më të sigurt. Rezultatet e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 në Kosovë tregojnë se nga pothuaj 1.8 milion qytetarë, 45% jetojnë në qytete dhe qyteza. Mirëpo, kjo nuk është një pasqyrë e plotë, pasi që një numër i madh i qytetarëve të Kosovës udhëtojnë për çdo ditë prej zonave rurale për në punë apo shkollim. Prandaj, kjo i vë një barrë të madhe administratave të qyteteve për të siguruar shërbimet e duhura, zonat e banimit të projektuara dhe zhvilluara si duhet, rrjetet e rrugëve dhe transportit, si dhe objektet shëndetësore, arsimore dhe rekreative.

Për t’u përballur me këto çështje në mënyrë efikase, komunave u nevojiten plane afatgjata për ta drejtuar ekspansionin e tyre hapësinor dhe ekonomik në mënyrë të qëndrueshme. Kjo kërkon një ekuilibër të përkufizuar mirë ndërmjet zhvillimit ekonomik dhe shoqëror si dhe mbrojtjes së mjedisit natyror dhe shfrytëzimit racional të tokës. Në fillim të vitit 2012, gjashtëmbëdhjetë nga tridhjetë e shtatë komunat e Kosovës i kanë miratuar Planet Zhvillimore Komunale (PZHK) të tyre, derisa të tjerat janë në proces të hartimit të PZHK-ve ose mbështeten në planet e përgjithshme të vjetra. Përkundër faktit se disa prej qyteteve më të mëdha i kanë të gatshme PZHK-të e tyre, realizimi i këtyre planeve vazhdon të jetë një sfidë si në aspektin e fondeve ashtu edhe në atë të vullnetit politik. Pa një vizion zhvillimor të qartë dhe pa një kuadër buxhetor të sigurt, zhvillimi urban do të vazhdojë të bëhet në mënyrë kuturu dhe nuk do t’i përmbush nevojat e qytetarëve.

Njësoj si shumë demokraci të reja, Kosova është duke u ballafaquar më një numër të problemeve dhe sfidave, shumë prej të cilave kanë të bëjnë me detyrën e ndërlidhjes së të kaluarës me të tanishmen me shikim drejt integrimeve në BE në të ardhmen. Në kontekstin e Kosovës, kjo nënkupton kalimin nga zonat kryesisht rurale, të dominuara nga qytetet e vogla dhe të mesme, në qendra urbane me zhvillim të shpejtë të cilat shihen edhe si qendra/nyje ekonomike. 

Përmbajtja e programit

Faza e tretë e Programit për mbështetjen e planifikimit hapësinor komunal (MuSPP) ka filluar në nëntor 2011 dhe parashihet të zgjasë tri vite. Këtë program e realizon UN-Habitati me fondet e siguruara nga Qeveria e Suedisë. MuSPP vazhdon t’i mbështesë dymbëdhjetë komuna të Kosovës për konsolidimin e planifikimit urban dhe hapësinor nëpërmjet një procesi me pjesëmarrje dhe me barazi gjinore, si dhe në zbatimin e planeve si instrumente që e udhëheqin zhvillimin lokal. Projektet për investime kapitale që dalin nga ky proces planifikimi dhe që përgatiten bashkërisht nga ky Program dhe komunat partnere do të sjell deri te përmirësimi i kushteve për jetë dhe i mjedisit urban. Projektet e realizuara do të dëshmojnë se si shndërrohen planet dhe idetë në realitet. Duke u fokusuar në ndihmën në vendin e punës dhe duke e shfrytëzuar të mësuarit duke punuar si metodë kryesore për ndërtimin e kapaciteteve, MuSPP synon forcimin e kapaciteteve të kolegëve nëpër komuna dhe të aktorëve tjerë për qasjen e planifikimi strategjik. Ai mëton ta avancojë dhe promovojë bashkëpunimin ndër-komunal brenda Kosovës dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit. Po ashtu, ai synon të bashkëpunojë me institucionet e nivelit qendror që merren me planifikimin hapësinor, mbrojtjen e mjedisit dhe qeverisjen lokale për t’i ndihmuar komunat partnere.   

Motoja

Motoja e MuSPP, “Të bëjmë qytete më të mira bashkë”, do të thotë se planifikimi i zhvillimit lokal i takon jo vetëm profesionistëve, por edhe komunitetit të biznesit dhe komunitetit në përgjithësi, që përfaqësohet nga grupe të ndryshme shoqërore dhe moshe, burra e gra, djem dhe vajza. Faza e tanishme e MuSPP e vazhdon punën e fazave të mëparshme të cilat ishin të fokusuara në mbështetjen e komunave partnere në hartimin e planeve zhvillimore komunale dhe urbane. Aktualisht, shumica e këtyre komunave janë në proces të realizimit të PZHK-ve të tyre nëpërmjet planeve rregulluese dhe investimeve kapitale. Në shumë raste, angazhimi i fondeve private apo të donatorëve do ta përcaktojë suksesin e këtyre veprimtarive.

Komunat partnere

Dymbëdhjetë komunat partnere i përfshijnë edhe ato që kanë marrë pjesë në fazat e mëhershme të këtij Programi, si dhe disa që i janë bashkuar atij kohëve të fundit kur u formulua faza e tretë e MuSPP. Në listën e komunave partnere përfshihen: Ferizaj, Gjilani, Mitrovica, Peja, Prizreni, Juniku, Hani i Elezit, Mamusha, Graçanica, Parteshi, Malisheva dhe Rahoveci.

Komponentët e MuSPP

Mbështetja e komunave të vogla dhe të mesme në procesin e hartimit të PZHK-ve dhe zhvillimit të projekteve kapitale 
Nga përvoja që MuSPP e ka fituar në fazat e mëhershme të këtij programi ka dëshmuar se komunat e Kosovës janë në gjendje që të përgatisin vetë Planet Zhvillimore Komunale po që se kjo bëhet prioritet i udhëheqësve politikë komunal dhe nëse sigurohet mbështetja teknike për personelin komunal. Mbështetja e partnerëve të rinj si Mamusha, Graçanica, Parteshi dhe Malisheva për hartimin e PZHK-ve dhe PZHU-ve do të vazhdojë dhe do të plotësohet me ndërtim të kapaciteteve.  Këshilla cilësore do t’ju jepen komunave të cilat e kontraktojnë hartimin e planeve, p.sh. në rastin e Rahovecit. Megjithatë, në këtë fazë theksi më i fuqishëm do të vihet në komponentët mjedisorë dhe të qëndrueshmërisë përgjatë tërë procesit të hartimit. Analizimi i gjendjes ekzistuese do të përforcohet me anë të aplikimit të një metode sistematike për vlerësimin e qëndrueshmërisë, duke e përshirë metodologjinë për Vlerësimin e Zhvillimit të Qëndrueshëm të krijuar nga Sida.

Po ashtu, sipas nevojës dhe për aq sa është e mundur, procesi i planifikimit do të jetë i integruar me përgatitjen e Planeve të Veprimit Mjedisor Lokal (LEAP). Kjo do të ndërmerret në lidhje me Qendrën Mjedisore Rajonale (REC) apo me një organizatë ekuivalente, ndërsa do të krijohen edhe mekanizmat për menaxhimin e përbashkët të projektit. Ky proces do të lidhet edhe me Strategjinë Mjedisore Kombëtare. Për t’i përmbushur kriteret ligjore, MuSPP me anë të Vlerësimit Mjedisor Strategjik do të sigurojë ekspertët për ta vlerësuar ndikimin mjedisor nga planifikimi hapësinor.  Pjesëmarrja publike dhe perspektiva gjinore do të jenë komponentë përbërës të mbështetjes së këtij programi.

Përkrahja për zbatimin e planeve në komunat partnere të MuSPP2
Po ashtu, MuSPP do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për komunat partnere “të vjetra”, të cilat tashmë i kanë miratuar planet e tyre si: Ferizaj, Gjilani, Peja, Prizreni, Mitrovica, Juniku, Hani i Elezit. Fokusi do të jetë në çështjet e lidhura me planifikimin dhe menaxhimin hapësinor dhe urban, vendbanimet joformale dhe mjedisi. Duke i marrë parasysh dallimet ndërmjet komunave për sa i përket strukturës, madhësisë dhe kapacitetit të tyre, do të miratohet një qasje e posaçme, kurse fokusi në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mjedisin do të jetë shtylla kryesore e veprimtarive në të gjitha këto komuna. Kjo, po ashtu, do të nënkuptojë shqyrtime të mëtejshme të mjedisit dhe çështjeve të qëndrueshmërisë së përgjithshme dhe lidhjeve të tyre me vlerësimet e ndikimit dhe integrimi me LEAP-ët.

Studimet sektoriale, për shembull lidhur me menaxhimin e mbeturinave, energjia dhe ndryshimet klimatike të shoqëruara me projekte ideore/CIP (PIK), do të jenë pjesë kryesore përbërëse e MuSPP. Iniciativat që synojnë zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës do të mbështeten nëse janë në përputhje me objektivat e këtij programi. Një theks më i madh do të vihet në integrimin e zhvillimit komunal dhe planifikimit financiar. Çështjet më të “buta” që lidhen me barazinë gjinore, pjesëmarrjen publike dhe përfshirjen shoqërore do të inkorporohen në planifikimin e veprimtarive dhe në përgatitjen e projekteve kapitale. Në këtë rast, bashkëpunimi me shoqërinë civile do të jetë më se i rëndësishëm. Vendbanimet joformale vazhdojnë të jenë një prej prioriteteve kryesore të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa do të vazhdojnë përpjekjet për adresimin e kësaj çështjeje nga planifikimi urban, si dhe nga perspektiva shoqërore dhe e të drejtave të njeriut. Në nivelin lokal, ndihma është e nevojshme për Departamentet e Urbanizmit për hartimin e Planeve Urbane Rregulluese për këto zona, të cilat do të sigurojnë rregullimin e hapësirave, legalizimin e ndërtimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetesës.

Përfundimisht, ky komponent i vë theksin qeverisjes së mirë dhe zhvillimit institucional komunal, si dhe ndërtimit të kapaciteteve të personelit dhe mbajtësve të funksioneve politike.
Projektet kapitale të propozuara do të vlerësohen nëpërmjet prizmit të ndikimit mjedisor për të siguruar vlerën e shtuar në zhvillimin lokal të qëndrueshëm.

Përkrahja e institucioneve të nivelit qendror

MuSPP do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje qeverisë dhe institucioneve të nivelit qendror që merren me politikat, normat dhe standardet lidhur me planifikimin hapësinor dhe urban, vendbanimet joformale, menaxhimin urban dhe mjedisin. Konkretisht, ky komponent do të përfshijë mbështetjen në bazë të kërkesës për qeverinë qendrore dhe institucionet tjera, kryesisht për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe për Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) në fushat me lidhje të drejtpërdrejtë me planifikimin dhe zhvillimin komunal. Rezultatet dhe përvojat e fituara gjatë zbatimit të MuSPP paraqesin një bazë të shkëlqyeshme për këtë, për shembull për vlerësimin dhe zhvillimin e mëtejmë të kornizën ligjore ekzistuese për planifikimin dhe zhvillimin komunal. Mbështetja këshillëdhënëse, sikur edhe në fazat paraprake, do të varet nga iniciativat dhe udhëheqja nga Ministria.

Mbështetja do të fokusohet në zhvillimin strategjik dhe metodologjik në kuadër të fushave të planifikimit hapësinor dhe mjedisit, që synojnë në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Ndihma në përgatitjen e publikimeve bazë për planifikim si udhëzuesit, tekstet elementare ose doracakët dhe organizimin e punëtorive/seminareve mund të jenë pjesë e veprimtarive, ku të gjitha duhet të kenë lidhje të fuqishme me veprimtaritë në komunat partnere.

Po ashtu, veprimtaritë do të merren edhe me kontrollin e ndërtimeve dhe zhvillimit në teori dh praktikë. Një pjesë e rëndësishme e kësaj do të jetë mbështetja në zhvillimin e politikave dhe strategjive të banimit, duke u fokusuar në vendbanimet joformale. Ndërlidhja e punës së komunave me punën për Strategjinë Mjedisore Kombëtare dhe me Planin e Veprimit Mjedisor të Kosovës (KEAP) do të jetë gjithashtu një prej fushave të duhura. Fushat tjera tematike, ku bashkëpunimi me Ministrinë do të ishte tejet i rëndësishëm kanë të bëjnë me politikat urbane, planifikimin urban, kriteret minimale për të dhëna për PZHK-të dhe duhet të lidhen më ngushtë me politikat për menaxhimin e mbeturinave të ngurta, transportin, si dhe me mbrojtjen e resurseve natyrore duke përfshirë tokën, ujin dhe ajrin. 

Rezultati i pritur
Pritet që kjo mbështetje do të sjellë deri te rritja e kapaciteteve dhe forcimi institucional i komunave për ushtrimin e përgjegjësive të tyre në lidhje me planifikimi i integruar hapësinor dhe urban. Kjo do t’ju ndihmojë atyre në zhvillimin e planeve në mënyrë të qëndrueshme dhe me anë të kësaj te përmirësimi i kushteve për jetë për të gjithë qytetarët nëpër komuna, duke e promovuar kohezionin shoqëror, barazinë gjinore dhe duke ndihmuar në zvogëlimin e varfërisë.

Rezultatet e planifikuara janë si vijon:

  • Komunat partnere të MuSPP të pajisen me dokumentet për planifikimin strategjik si PZHK-të, PZHU-të, PRU-të. 
  • Krijimi i proceseve për planifikimin hapësinor dhe urban, si mjet për rritjen e transparencës në proceset e vendim-marrjes me anë të pjesëmarrjes publike.
  • Planifikimi hapësinor/urban i perceptuar mirë nga vendim-marrësit dhe zhvillimet e reja bëhen në bazë të planeve të miratuara.
  • Rritja e vetëdijesimit dhe aplikimi i praktikave më të mira përkitazi me zhvillimin e qëndrueshëm në radhët e qytetarëve, zyrtarëve dhe pjesëmarrësve të sektorit privat.
  • Doracakët e përgatitur që shfrytëzohen në mbështetje të shërbimeve efektive/efikase të planifikimit hapësinor dhe urban që çojnë drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe aplikimit të parimeve të qeverisjes së mirë.
  • Përmirësimi i mjedisit fizik si rezultat i proceseve të planifikimit dhe zbatimi i CIP(PIK).
  • Kapacitete të rritura për zhvillimin e metodave për planifikim dhe projektim transparent si dhe për projekte të përbashkëta.
  • Perspektiva gjinore e integruar në të gjitha nivelet dhe në të gjitha aspektet e planifikimit dhe menaxhimit urban dhe hapësinor.

Mësimet e nxëna dhe të mësuarit nga kolegët si mjet për ndërtimin e kapaciteteve

Shkëmbimi i ideve për strukturat organizative, procedurat dhe proceset është një prej mënyrave se si komunat mund t’i përmirësojnë veprimtaritë e tyre duke mësuar nga përvojat e kolegëve të tyre. Shkëmbimi profesional ndërkomunal do të mundësohet me anë të vizitave në terren, vizitave studimore, takimeve, punëtorive dhe organizimeve tjera që synojnë bashkimin e profesionistëve që punojnë në nivelin lokal dhe qendror. Edhe përvoja ndërkombëtare do të jetë pjesë e këtij programi.

Përvoja e fituar gjatë zbatimit të fazave të mëparshme të MuSPP dëshmon se është i nevojshëm një fokusim më i fuqishëm në monitorimin e zbatimit të planeve. Përcaktimi i treguesve të duhur, të cilët do të mundësonin vlerësimin e projekteve lidhur me ndikimin e tyre në zhvillimin lokal të qëndrueshëm, cilësinë e jetesës së qytetarëve, fuqizimin e bizneseve dhe mjedisin natyror është i nevojshëm për ta mbështetur revidimin e PZHK-ve në disa komuna partnere, që pritet të bëhen gjatë kohëzgjatjes së MuSPP. 

Angazhimi i MuSPP gjatë dy fazave të mëparshme të këtij programi, i ka mundësuar personelit komunal në komunat partnere të përfitojnë përvoja praktike të planifikimit, si dhe të krijojnë metoda efektive të përfshirje së zyrtarëve të zgjedhur, profesionistëve dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile në procesin e planifikimit. Programi do t’i kopjojë dhe përsërisë këto metoda në punën e tij me komunat partnere më të vogla, si dhe në veprimtaritë që synojnë zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet komunave.

Fushat tjera të veprimtarive të MuSPP

Megjithëse fokusi i MuSPP është në zhvillimin, zbatimin dhe revidimin e planeve komunale dhe urbane, praktikisht ai e përfshin integrimin e një spektri më të gjerë të çështjeve të ndërlidhura mes veti. Këtu përfshihen, për shembull: qasja dhe cilësia estetike e hapësirave publike, ruajtja e trashëgimisë historike dhe natyrore me anë të kontrollimit të zhvillimit dhe planeve rregulluese,  Vlerësimit Strategjik Mjedisor (SEA) për Planet Zhvillimore Komunale dhe Urbane, mbështetja për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut nga katastrofat, promovimi transportit publik dhe jo-motorik, studimet sektoriale lidhur me fushat konkrete si menaxhimi i ujërave dhe mbeturinave, përmirësimi i sigurisë si dhe veprimtaritë për ngritjen e vetëdijesimit për të gjitha këto çështje.  Përkrahjes së komunave dhe organeve të nivelit qendror për adresimin e vendbanimeve joformale do t’i kushtohet më shumë vëmendje, si dhe do të analizohen strategjitë lokale për banim.

Mënyra se si punojmë ne

MuSPP fokusohet në bashkëpunimin e përditshëm dhe mbështetjen në vendin e punës të personelit komunal. Programi funksionon nëpërmjet zyrave të tij në terren që ndodhen në Ferizaj, Gjilan, Pejë, Mitrovicë, Prizren, Junik, Mamushë, Han të Elezit, Malishevë, Partesh dhe Graçanicë. Mbështetja për Rahovecin realizohet nëpërmjet zyrave në Prishtinë dhe Prizren.  Personeli komunal i MuSPP përbëhet nga planerë kosovarë me përvojë, të cilët i ndihmojnë komunat në veprimtaritë e planifikimit dhe në përgatitjen e projekteve për investime kapitale në mënyrë pjesëmarrëse, përfshirëse dhe të orientuar në punë. Mbështetja e personelit komunal të MuSPP për proceset e planifikimit duke përfshirë kontrollin e cilësisë së planeve, pjesëmarrjen publike, aspektin gjinor, çështjet ligjore dhe informimin dhe komunikimin sigurohet nga zyra në Prishtinë. Zyrtarët, këshilltarët dhe konsulentët ndërkombëtarë për planifikim, janë pjesë e ekipit të MuSPP dhe ata i ofrojnë përkrahje të drejtpërdrejtë ekipeve të MuSPP në terren. Po ashtu, përkrahje ofron edhe selia e UN-Habitatit në Najrobi.  
MuSPP bashkëpunon ngushtë me organizatat e shoqërisë civile dhe grupet qytetare joformale për forcimin e kapaciteteve të tyre për të marrë pjesë në procesin e planifikimit urban dhe hapësinor, si dhe në përgatitjen, zbatimin dhe monitorimin e projekteve. Çështjet e përbashkëta si perspektiva gjinore, të drejtat e njeriut, përfshirja shoqërore dhe pjesëmarrja publike do të inkorporohen në të gjitha veprimtaritë e këtij Programi. 

Partnerët kryesorë në kontekstin e planifikimit mbarë kosovar:

  • Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) përbëhet nga Departamenti për Planifikim Hapësinor, Instituti për Planifikim Hapësinor, Departamenti për Mjedisin, Departamenti për Ndërtim dhe Banim – homologu kryesor në nivelin qendror
  • Ministria e Infrastrukturës (MI) – partner për çështjet e transportit dhe lëvizshmërisë;
  • Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) – partner për çështjet e qeverisjes lokale
  • Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) me Kolegiumin për Planifikim Hapësinor – platformë për promovimin e politikave të reja urbane, shkëmbimin e informacioneve dhe përvojave;
  • Zyra për Qeverisje të Mirë në Kryeministri (ZQMKM) – partner për çështjet e qeverisjes së mirë, të drejtat e barabarta dhe gjinore;
  • Agjencitë e OKB-së në ekipin për Kosovë (UNKT), Bashkimi Evropian (BE)  dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) – partnerë për veprimtari apo programe të përbashkëta;
  • Misioni i OKB në Kosovë  (UNMIK) - partner për Kornizën Strategjike të OKB-së
  • Selia e UN-Habitatit në Najrobi – për mbështetje domethënëse dhe administrative 
  • Projektet e financuara nga Komisioni Evropian – partnerë për bashkëpunim në çështjet e planifikimit, qeverisjes dhe mjedisit
  • Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB), Qendra Mjedisore Rajonale (REC)/Planet për Veprim Mjedisor Lokal (LEAP), Friedrich Ebert Stiftung (FES), Organizatat e shoqërisë civile, OJQ-të, - partnerë ndërkombëtarë dhe lokal më proceset e planifikimit dhe OJQ-të për zhvillimin e projekteve
  • Universiteti i Prishtinës, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe zyrtarët komunal të saj – partnerë për aspekte të caktuara të planifikimit 

Mandati i UN-Habitatit

Programi i Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Njerëzore, UN-Habitat, është Agjencia e Kombeve të Bashkuara e mandatuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së për të promovuar qytete dhe fshatra të qëndrueshme shoqërore dhe mjedisore me qëllim të ofrimit të strehimit adekuat për ët gjithë. Në frymën e urbanizimit global të shpejtë, vizioni strategjik i UN-Habitatit ofron një mënyrë për ta arritur këtë agjendë të spektrit të plotë, duke i përcaktuar mjetet për zbatimin e programeve dhe projekteve në raport të duhur dhe praktik me prioritetet globale të Objektivave Zhvillimore të Mijëvjeçarit. Arritja e qëndrueshmërisë dhe zbutja e varfërisë kërkon integrimin e objektivave ekonomike, shoqërore dhe politike në një kornizë koherente të përgjithshme. Si pjesë e Fushatës Globale të UN-Habitatit për Qeverisje Urbane, angazhimi i shoqërisë civile në procesin e vendim-marrjes dhe ndërtimit të konsensusit për çështjet e zhvillimit lokal është një prej parimeve kryesore të Programit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal.

UN-HABITAT në Kosovë

Me anë të pranisë së tij në Kosovë dhe rajonin e gjerë prej vitit 1999, UN-Habitat e ka promovuar qeverisjen e mirë, sigurinë e banimit, pjesëmarrje të barabartë të meshkujve dhe femrave në zhvillimin e vendbanimeve njerëzore të qëndrueshme dhe planifikimin hapësinor përfshirës. Intervenimet fillestare të UN-Habitatit ishin të fokusuara në krijimin e institucioneve për t’u marrë me çështjet pronësore se Drejtoria Banesore dhe Pronësore dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës, si dhe në ndërtimin e kapaciteteve për menaxhimin efikas të qeverive lokale me anë të programeve të njëpasnjëshme.
Programet e UN-Habitatit për ndërtim të kapaciteteve: Programi për Qeverisje Lokale (LoGo) dhe Programi për Mbështetje Komunale (2001), Programi për Planifikimin dhe Menaxhimin Urban (UPMP, 2002-2003), Programi për Qeverisje dhe Planifikim të Zhvillimit (GDPP, 2003-2006), Programi për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP 1, 2005-2008 dhe MuSPP 2, 2008-2011) kanë ndihmuar në zhvillimin, ankorimin dhe institucionalizimin e një sistemi të ri të planifikimit dhe në forcimin e kapaciteteve të profesionistëve që merren me planifikimin hapësinor dhe urban në nivelin lokal dhe qendror.

Informata për kontakt

Zyra:
UN-Habitat Kosovo
Ndërtesa e ministrive “Rilindja”
10000 Prishtinë, Kosovë
Telefoni: +381 38 20032611
Fax: +381 38 224122
info@ unhabitat-kosovo.org
www.unhabitat-kosovo.org; www.unhabitat.org 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Programet > Programi i mbështetjes...