Lajme dhe Ngjarje

Përmirësimi i oborrit të shkollës së mesme dhe qasja në shkollë – Projekti investues capital (CIP) për Junik

Komuna e Junikut në bashkëpunim me përfaqësuesit e Programit të Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP) organizuan punëtorinë pjesëmarrëse me akterë relevant me qëllim të përmirësimit të hapësirës shkollore të kësaj komune.

Punëtoria u organizua me qëllim të gjenerimit të ideve nga akterët kryesorë duke përfshirë fëmijët e shkollës, mësimdhënësit, prindërit dhe aktivistë nga komuna e Junikut, të cilët e dhanë vizionin e tyre për përmirësimin e oborrit të shkollës dhe qasjen në shkollë. CIP i përmirësimit të oborrit të shkollës dhe qasjes në shkollë është një nga pesë projektet e selektuara për këtë komunë.

Përmirësimi i qasjes në shkollë do të bëhet përmes shtruarjes së trotuareve përgjatë rrugës që lidhet me shkollën. Projekti gjithashtu do ta rregullojë oborrin e shkollës, që do të përdoret edhe si hapësirë publike. Punëtoria është zhvilluar në dy sesione. Sesioni i parë kishte të bënte me prezentimin e projektit dhe të zonës, analizën e SWOT-it, dhe dhënien e shembujve nga oborret e shkollave dhe hapësirave publike. Sesioni i dytë u fokusua në punë grupore ku me këtë rast u përdor analiza e SWOT-it për identifikimin e përparësive dhe mangësive që ofron kjo zonë.

Punëtoria u përmbyll me prezentimin e SWOT analizave, ku ide interesante u paraqitën nga akterë të ndryshëm. Rekomandimet e dala kryesisht kishin të bënin me ndërtimin e fushës sportive për të rinj dhe nxënës të Junikut, ku do të luhej futbolli, hendbolli, volejbolli dhe tenisi. Ndërtimi i stazës së mbyllur ishte një nga rekomandimet që doli nga grupi i aktivistëve, për organizmin e koncerteve dhe aktiviteteve tjera në këtë komunë. Ndërtimi i fontanës, kabinave të toaletit, gjelbërimi i zonës, ndriçimi dhe përmirësime tjera u përmendën gjatë këtij takimi.

SWOT analiza u dha mundësi kandidatëve që ta zhvillojnë CIP-in me skenarë të mundshëm. Projekti i propozuar do të financohet në mënyrë të përbashkët nga UN-HABITAT/ MuSPP-i dhe Komuna e Junikut.

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje