Lajme dhe Ngjarje
Hapja ceremoniale e Shqyrtimit Publik per Planin Zhvillimor Komunal te Junikut
Komuna e Junikut është komuna e
parë në Kosovë që harton Planin Zhvillimor Komunal me një qasje ndryshe (qasjen
të mësojmë duke punuar), nga praktikat e deritanishme në Kosovë, ku hartimi i
këtyre planeve është tenderuar dhe hartuar nga kompanitë e ndryshme vendore si
dhe ndërkombëtare të projektimit, shpesh herë me një kosto shumë të lartë.
Bartëse e hartimit të Planit
Zhvillimor Komunal nga komuna e Junikut është Drejtoria për Urbanizëm, Gjeodezi
dhe Mjedis, e cila në këtë proces ka bashkëpunuar me Programin për Mbështetjen
e Komunave në Planifikim Hapësinor (MuSPP) implementuar nga UN-HABITAT dhe
financuar nga Sida, Organizata Joqeveritare Trashëgimia Kulturore pa Kufinj
dhe është mbështetur profesionalisht edhe nga Instituti për Planifikim Hapësinor
që vepron në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
(MMPH).
Plani Zhvillimor Komunal është
plan me karakter strategjik multi-sektoral dhe ka për qëllim të jap vizionin
dhe orientimet e qarta për zhvillimet e ardhshme në hapësirën/territorin e
komunës.
Më datë 15 Tetor 2010, me fillim në ora 11:00 në sallën e restaurant Oda e
Junikut në Junik, komuna bën hapjen ceremoniale të shqyrtimit publik
të draft-Planit Zhvillimor Komunal të Junikut 2010-2023+. Shqyrtimi publik do
të jetë i hapur për qytetarë deri me datë 15 Dhjetor 2010, ora 11:00. Shqyrtimi
publik është mundësia e fundit që banorët dhe pjesëmarrës të ndryshëm të japin komentet
e tyre, ngrisin çështjet dhe propozojnë ndryshime në lidhje me propozimet e
planit para se ky plan të dorëzohet në MMPH për marrje të pëlqimit dhe
aprovimit përfundimtar në Kuvendin Komunal të Junikut.