Lajme dhe Ngjarje
Komuna e Hani të Elezit prezenton draftin e Planit Zhvillimor Komunal 2010 - 2025
Ceremonia e
hapjes së diskutimit publik të draftit të Planit Zhvillimor Komunal(PZHK) të
Hanit të Elezit, u mbajt të premten, me 17 dhjetor 2010 në Shtëpinë e Kulturës në Hanin e Elezit.
PZHK-ja është hartuar nga ana e stafit komunal të Hanit të Elezit, nga
Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Mjedis, në mbështeteje të Programit të
Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP) dhe Institutit të Planifikimit Hapësinor
(IPH) në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Në
fjalën hyrëse, zëvendës-kryetari i Hanit të Elezit, Muzafer Dernjani e përmendi
rëndësinë e PZHK-së për zhvillimet e ardhshme duke e falenderuar UN-HABITAT-in
në të njejtën kohë.
Ishaku
Maitumbi, nga UN-HABITAT-i theksoi se kjo është një mundësi e mirë për qytetarët
e Hanit të Elezit që ti shprehin opinionet dhe komentet e tyre në kuadër të
procesit pjesëmarrës të PZHK-së. Takimi vazhdoi me fjalimet e bëra nga Agim Radoniqi,
Drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor dhe nga Luan Nushi, Drejtor i
Institutit të Planifikimit Hapësinor, në kuadër të MMPH-së. Nexhmedin Daci, drejtor
i Urbanizmit në Hanin e Elezit, e prezentoi draftin e PZHK-së që është dokument
gjithëpërfshirës dhe multi-sectorial që ka për qëllim të ofrojë vizion të qartë
për zhvillimin e ardhshëm komunal për këtë territor dhe në te njejtën kohë edhe
ti drejtojë proceset zhvillimore, si përdorimi i tokës, zhvillimi socio-ekonomik,
si dhe konzervimi dhe zhvillimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Komuna e
Hanit të Elezit, është komuna e dytë pas Junikut, që e filloi qasjen e bërjes
vet të Planit Zhvillimor Komunal, qasje kjo ndryshe nga praktika e
deritanishme të bërjes së planeve nga kompanitë komerciale. Shqyrtimi
publik i draftit të PZHK-së do të jetë i hapur deri me 17 Shkurt 2011.