Lajme dhe Ngjarje

Turneu kulturor: kultura takon sportin

Bashkimi i energjive të sportit dhe kulturës u arrit përsëri gjatë turneut me biçikleta në pjesën qendrore të Kosovës të dielën e kaluar. Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore në një mënyrë të shëndetshme të lëvizshmërisë nuk ishte bërë ndonjëherë në përmasa kaq të mëdha, ku në këtë rast morën pjesë 550 çiklistë. Këtë vit, turneu filloi në rrëzën e rrënojave të kalasë antike në Novobërdë, vazhdoi duke kaluar pranë Manastirit të Graçanicës dhe arriti në pikën përfundimtare përpara shenjës më të re dalluese të Prishtinës - NEW BORN. Ideja për turneun kulturor i ka tri aspekte: e para, promovimi i trashëgimisë kulturore dhe natyrore, e dyta – promovimi i transportit jo-motorik për një lëvizshmëri më efikase për të gjithë, dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, promovimi i lëvizjes së përbashkët globale për një të ardhme klimatike më të sigurt, e cila lidhet drejtpërsëdrejti me temën e Ditës Botërore të Habitatit për këtë vit “Qytetet dhe ndryshimet klimatike”. Çiklistët u përshëndetën dhe u gostitën nga liderët e këtyre tri komunave me ushqime dhe fruta tradicionale të vendit. E organizuar për herë të katërt, turneu kulturor është bërë një aktivitet i popullarizuar në radhët e komunitetit sportiv dhe kulturor në Kosovë. Si një iniciativë e Programit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal nga UN-HABITAT (MuSPP) dhe Trashëgimisë Kulturore pa Kufij (CHwB), ajo u organizua për herë të parë në vitin 2008 dhe kishte filluar me një numër modest të çiklistëve. Turneu kulturor po rritet për çdo vit, ndërsa tani ka arritur shifrën prej rreth 550 pjesëmarrësve, deri sa objektivi i përgjithshëm i këtij turneu, mënyra e shëndetshme e lëvizshmërisë, po e arrin efektin e vet. Gjatë rrugës së tyre, pjesëmarrësit e manifestimit të këtij viti i bënë homazhe Arben Arapit, një çiklist i përkushtuar dhe entuziast i Turneut Kulturor, i cili e kishte përkrahur këtë manifestim në të kaluarën. Ai vdiq në një aksident komunikacioni në dhjetor të vitit të kaluar, kur biçikleta që po e ngiste ai u godit nga një veturë me shpejtësi të madhe. Vdekja tragjike e tij ua ka tërhequr vëmendjen pjesëmarrësve lidhur me çështjet e sigurisë në rrugë dhe në komunikacion. Përgjatë viteve, ky manifestim është përkrahur nga komunat nikoqire, organizatat e ndryshme dhe shumë partnerë tjerë vendas dhe ndërkombëtarë, si Këshilli i Evropës me anë të projektit Përkrahja e Promovimit të Diversitetit Kulturore (PCDK), që tani është përkrahës i rregullt i Xhiros Kulturore, Federata e Çiklizmit dhe Klubet e Çiklizmit nga gjashtë qytetet më të mëdha të Kosovës. Po ashtu, këtë vit, për herë të parë Grupi i Organizatave për Energji të Pastër e ka përkrahur këtë manifestim si promotorë të një të ardhme klimatike më të mirë. Këtë vit, manifestimi ishte tërheqës edhe për sponsorët, përkatësisht prodhuesit vendas si “Trepharm” dhe “Luboteni”.  

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje