Lajme dhe Ngjarje

Kryetarët e komunave partnere me MuSPP dhe ministritë i diskutuan të arriturat dhe u takuan me Kryetarin e Selanikut

Kryetarët e komunave partnere të Programit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal nga UN-HABITAT iu bashkuan udhëheqësve dhe stafit të MuSPP-së në një seminar të mbajtur në Selanik ndërmjet 21-24 shtatorit të këtij viti. Qëllimi i këtij seminari ishte diskutimi i të arriturave të fazës së dytë të Programit e cila do të mbyllet në tetor 2011. Në fokus ishte zhvillimi i kapaciteteve profesionale të planerëve komunal për t’i realizuar detyrat e planifikimit hapësinor dhe urban, angazhimit të shoqërisë civile dhe të palëve me interes në planifikim, si dhe lidhjet në mes të planeve zhvillimore komunale dhe urbane me projektet për investime kapitale. Ky takim bëri të mundur që të diskutohen mësimet e nxjerra, kurse udhëheqësve të MuSPP-së u siguroi një numër të rekomandimeve lidhur me punën e mëtejme në Kosovë. Faza e ardhshme 3-vjeçare e Programit, e financuar nga Qeveria e Suedisë, do të fillojë në nëntor 2011 dhe do të vazhdojë t’i mbështesë disa komuna të përzgjedhura të Kosovës në adresimin e çështjeve të planifikimit hapësinor, ofrimin e shërbimeve publike dhe përmirësimin e hapësirave publike. Faza e ardhshme e MuSPP-së do të ketë një fokusim më të fuqishëm në aspektet mjedisore dhe në qasjen e integruar ndaj planifikimit. Një nga rekomandimet e bëra gjatë seminarit ishte nevoja për një bashkëpunim më të fuqishëm ndërmjet Programit dhe Asociacionit të Komunave të Kosovës gjë që do të pasqyrohej në një Memorandum të Mirëkuptimit.
Në këtë seminar morën pjesë edhe Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Slobodan Petrovic dhe Zëvendës-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Ilir Mirena. Të dy ministrat e theksuan rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve të stafit komunal për zhvillimin e planifikuar të qyteteve të Kosovës, për mbrojtjen e mjedisit natyror dhe tokave bujqësore, si dhe të mundësive për t’i zbatuar planet dhe politikat ekzistuese.
Kjo vizitë në Selanik ua mundësoi kryetarëve të komunave që të takohen me kolegun e tyre, Kryetarin e Selanikut z. Yiannis Boutaris dhe të diskutojnë me të çështjet e zhvillimit lokal, investimeve kapitale dhe menaxhimin e gjithëmbarshëm të qytetit. Z. Boutaris e shprehu shpresën e tij për një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet komunave kosovare dhe Selanikut në të ardhmen. Po ashtu, ai e ftoi z. Slobodan Petrovic të merrte pjesë në manifestimin e 100 vjetorit të çlirimit të Selanikut që do të mbahet vitin e ardhshëm.
Gjithashtu, delegacioni shfrytëzoi rastin që të bëjë një shëtitje të organizuar nëpër qytet dhe i vizitoi disa nga monumentet më të çmueshme të tij, si dhe e përjetoi programin e qytetit për promovimin e transportit jo-motorik, i cili mbahet një herë në muaj në pjesë të ndryshme të qytetit, me ç’rast rrugët mbyllen për makinat kurse hapen vetëm për çiklistët dhe transportin publik.
Udhëheqja e MuSPP-së i vlerësoi diskutimet me pjesëmarrësit e seminarit dhe rekomandimet e tyre si shumë të vlefshme dhe e ka ndër mend që organizime të ngjashme  me këtë t’i bëjë për çdo vit.

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje