Lajme dhe Ngjarje

Komunat suedeze ishin nikoqirë të përfaqësuesve të MuSPP dhe partnerëve të tij

Një grup prej 19 përfaqësuesve të komunave kosovare, të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe Programit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal nga UN-HABITAT (MuSPP) i vizituan disa komuna në Suedi prej 12-17 shtator 2011. Qëllimi kryesor i kësaj vizite studimore ishte familjarizimi me sistemin suedez të planifikimit dhe zbatimin praktik të parimeve për zhvillimin e qëndrueshëm. Vizita u organizua nga MuSPP me financimin e Sida-s, në bashkëpunim me katër komunat, ku bashkë me mysafirët nga Kosova janë shkëmbyer prezantime dhe përvoja të ndryshme. 

Vizita studimore vazhdoi në komunën e Söderköping-ut, një qytet tregtar i rëndësishëm gjatë mesjetës, si dhe banjë e famshme e kohës moderne. Kjo komunë e vogël sot përfiton më së shumti nga turistët, të cilët vijnë gjatë verës për ta vizituar një kanal tejet tërheqës (Göta Kanal) i ndërtuar në shekullin e 19-të. Pjesëmarrësit i priti Drejtori i Departamentit të Planifikimit, i cili u tregoi atyre për planet zhvillimore të hollësishme të përgatitura nga komuna dhe për procedurat për zbatimin e tyre. Procesi i zhvendosjes së autostradës evropiane e cila e ndan këtë qytet në dy pjesë, ishte gjithashtu një temë shumë interesante e diskutimit në këtë komunë. Ky projekt ishte ilustrim i bashkëpunimit të avancuar ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal gjatë planifikimit.
Linköping-u ishte ndalesa e tretë gjatë kësaj vizite në Suedi, një qytet në rritje i cili e ka përgatitur planin zhvillimor të përgjithshëm bashkë me qytetin fqinjë Norrköping. Në fillim, para grupit u fol për pikat kryesore të veprimtarive të planifikimit që janë në vijim e sipër. Mysafirët nga Kosova bënë një shëtitje të gjatë nëpër qytet, ku i vizituan zhvillimet më të rëndësishme që ishin duke ndodhur në qytet si dhe ato që ishin të planifikuara. Po ashtu, gjatë ditës në Linköping u realizua vizita në Tekniska Verken dhe në objektet e tyre, si Impianti i ri për riciklim, Ngrohtorja e Qytetit dhe Impianti për trajtimin e ujërave të zeza. Tekniska Verken është një kompani komerciale në pronësi të Komunës së Linköping-ut dhe e mbulon tërë rajonin. Pjesëmarrësit patën mundësi të shohin se si mund të prodhohet energjia dhe ngrohja nga mbeturinat. Të gjithë të pranishmëve ju prezantua në hollësi i tërë procesi, duke filluar nga deponia e mbeturinave, duke e përfshirë procesin e trajtimit të mbeturinave e deri te prodhimi i energjisë elektrike. Pjesa e pasdites ishte ndarë për prezantimet nga stafi për planifikim i komunës. Krahas shumë temave, u prezantua edhe lëvizshmëria dhe menaxhimi i komunikacionit në qytetin e Linköping-ut. Po ashtu, u theksua mënyra se si ky qytet i stimulon dhe punon intensivisht në politikat dhe masat e marra për promovimin e transportit jo-motorik dhe atij publik. Sistemi Informativ Gjeografik (GIS) u tha të jetë një mjet efikas, i cili është duke u shfrytëzuar për planifikim dhe për menaxhimin urban.
Ndalesa e fundit gjatë vizitës studimore në Suedi u bë në Komunën e Botkyrka-s, që ndodhet në pjesën jugore të zonës Metropolitane të Stokholmit dhe ku imigrantët përbëjnë një pjesë të madhe (rreth 50%) të numrit të përgjithshëm të banorëve të komunës. Zhvillimi i qëndrueshëm në këtë komunë ishte njëri nga prezantimet e bëra nga zyrtarët e komunës, si dhe gjatë prezantimit është shpjeguar mënyra se si është duke punuar komuna me Zotimet Aalborg. Drejtori i Njësisë për Planifikim e bëri një prezantim për planifikimin strategjik dhe integrimin e komunës në zonën metropolitane. Po ashtu, mysafirët nga Kosova mësuan edhe për pjesëmarrjen dhe proceset e saj gjatë diskutimeve publike të planeve, për stimulimin publik dhe për praktikat që i aplikon kjo komunë.
Përvojat nga vizita studimore në Suedi do të shkëmbehen me pjesëmarrësit tjerë në Ditën Botërore të Habitatit më 3 dhjetor 2011.

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje