Lajme dhe Ngjarje
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe 12 komuna të Kosovës përfitojnë nga faza e re e Programit të Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe 12 komuna të Kosovës, do të përfitojnë nga faza e tretë e Programit të mbështetjes së planifikimit hapësinor komunal (MuSPP).
Ky program i implementuar nga
UN-HABITAT-i dhe i financuar nga qeveria Suedeze,paraqet vazhdimësinë e proceseve dhe metodave të
aplikuara në programet e mëhershme me fokus të qartë në fuqizimin e kapacitetit
të planifikimit dhe menaxhimit të komunave, për përkrahjen e zhvillimit të
qëndrueshëm.
Të pranishëm në hapjen zyrtare
të këtij programi ishin përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mjedisit dhe
Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Administrimit të pushtetit lokal, Sida-s
zyrës në Suedi dhe Kosovë, zyrë qendrore të UN-HABITAT-it në Nairobi,
asociacioni i Komunave të Kosovës, kryetarët dhe nënkryetarët e komunave të Kosovës.
Udhëheqësja e zyrës së
UN-HABITAT-it në Kosovë, Z. Krystyna Galezia dha një pasqyrë të programit
paraprak si dhe paraqiti objektivat e programit të ri. Zëvendës Ministri i
Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor z. Ilir Mirena potencoi që MMPH është e
përkushtuar që të bashkëpunojë edhe me tutje me programin e UN-HABITAT-it i
cili ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve komunale dhe është i hartuar duke
marrë për bazë nevojat e Kosovës. Gjithashtu theksoi qasjen e UN-HABITAT-it e
cila ka një vlerë të veçante sepse është e ndërtuar në bazë të transparencës dhe gjithëpërfshirjes, si dhe
ndihmon në zhvillimin e komunave në përputhje me parimet themelore të Bashkimit Evropian. z. Basri Musmurati zv.
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal çmoi lartë përkrahjen që ky program
ua jep komunave të Kosovës , posaçërisht komunave të reja. Përfaqësuesi i
Sida-s në Suedi, theksoi se metodat dhe teknikat e përdoraura dhe iniciuara nga
ky program siç janë vizionimi, zhvillimi
i skenarëve, dizajni urban etj kanë ndikuar në përmirësimi e hapësirave publike
dhe jetës së qytetarëve në këto komuna. Përfaqësuesit e zyrës qendrore të
UN-HABITAT-it në Nairobi e veçuan këtë projekt si unik, i cili do të shërbejë
si përvojë dhe model edhe për programet tjera në botë.
Kryetarët dhe nënkryetarët e pranishëm
të komunave përfituese të programit siç janë: Prizreni, Peja, Mitrovica,
Ferizaj, Gjilan, Malisheva, Rahoveci, Junik, Hani i Elezit, Gracanica dhe
Parteshi, reflektuan mbi të arriturat e programeve të kaluara dhe treguan gatishmërinë
për vazhdimin e bashkëpunimit në fazën e tretë.
Përmbajtja e programit është përgatitur duke marrë
parasysh prioritetet e qeverisë së Kosovës, nevojat e raportuara prej komunave,
objektivat e bashkëpunimit të Sida-s dhe mandatin e UN-HABITAT-it, si dhe
mësimet e mësuara dhe përvojat prej fazave të mëhershme të MuSPP-it. Ky program
do të zgjas 3 vjet deri në nëntor të vitit 2014.