Lajme dhe Ngjarje

A mund të ndikojë në mjedis PZHK-ja për Mamushën?

Komuna e Mamushës është në proces të hartimit të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) me përkrahjen profesionale të MuSPP. Ligji Nr. 03/L-230 për Vlerësimin Strategjik Mjedisor kërkon nga komunat që t’i përgatisin Vlerësimet Strategjike Mjedisore për Planet Zhvillimore Komunale dhe për planet dhe programet tjera, prandaj UN-Habitati në bashkëpunim me Komunën e Mamushës e kanë angazhuar një konsulent të jashtëm për ta kryer këtë aktivitet.
Për ta zhvilluar këtë proces në mënyrë përfshirëse dhe pjesëmarrëse, është organizuar një punëtori njëditore me palët e interesuara përkatëse më 14 qershor 2012 me fokus në disa tema të ndryshme.  Temat kishin të bënin me planifikimin pjesëmarrës dhe nivelet e përfshirjes gjatë vendim-marrjes, paraqitjes së çështjeve mjedisore të PZHK-së, paraqitjes së raportit mbi fushëveprimin, dhe një aktivitet për identifikimin e objektivave, synimeve dhe treguesve.
Sipas analizave të bëra nga ky konsulent, çështjet mjedisore të PZHK të Mamushës dhe qëllimet dhe objektivat e tij synojnë që të sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm të kësaj komune. Mirëpo, objektivat e fushës së dytë tematike – zhvillimi ekonomik bazohen kryesisht në bujqësi dhe industritë e lidhura me të–e që mund të kenë ndikimet më të konsiderueshme mjedisore, prandaj ekziston nevoja për të marrë masa për zbutjen e kësaj. Po ashtu, është thënë se shqetësimet mjedisore për Mamushën janë ndotja e ujit nga mbeturinat dhe nga derdhja e ujërave të zeza, si dhe nga pesticidet dhe plehrat artificiale. 
Edhepse Ligji i Kosovës për VSM nuk kërkon raport për fushëveprimin, gjatë prezantimit të tij u theksua senjë raport i këtillë është i mirëseardhur për adresimin e “objektivave”, “qëllimeve” dhe “synimeve strategjike” kryesore në fazat e hershme të procesit të VSM-së. Në qendër të këtij prezantimi ishte çështja e asaj se cilat aspekte të mjedisit mund të preken nga zbatimi i PZHK-së dhe cilat nga këto efekte mund të jenë të konsiderueshme, për çka kërkohet të ofrohen informata lidhur me aspektet përkatëse të gjendjes së tanishme të mjedisit. U theksua se gjatë hartimit të raportit për fushëveprimin është e udhës që të mblidhen të dhëna dhe të raportohet për planet, objektivat dhe standardet mjedisore relevante ndërkombëtare, kombëtare dhe lokale. Po ashtu, është e dobishme që të identifikohen alternativa të arsyeshme që kërkohen me anë të Direktivës VSM për legjislacionin kombëtar, si dhe të përgatiten projekt-objektivat mjedisore (të ngjashme me ato të PZHK-së apo që dalin nga ai).
Pjesa e fundit e punëtorisë iu kushtua një aktiviteti për identifikimin e lidhjes ndërmjet VSM dhe objektivave, synimeve dhe treguesve. Kjo ndihmoi në identifikimin e disa prej treguesve të sipërpërmendur për PZHK-në e Mamushës.
Në këtë organizim morën pjesë zyrtarë nga departamenti komunal për urbanizëm dhe shërbime publike, si dhe udhëheqësi i shoqatës së bujqve dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje