Lajme dhe Ngjarje

Punëtoria për planin e veprimit për Komunën e Mamushës

Në procesin e saj për hartimin e PZHK-së, Mamusha ka arritur në fazën e Zbatimit të Strategjive dhe Veprimeve.
Si pjesë e përkrahjes profesionale,  UN-Habitat/MuSPP, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) – (Instituti për Planifikim Hapësinor - IPH, Departamenti për Planifikim Hapësinor - DPH, Departamenti për Banim dhe Ndërtim - DBN) e kanë mundësuar mbajtjen e një punëtorie dyditore për planifikimin e veprimtarive.
Punëtoria u mbajt më 29 dhe 30 maj 2012, në Hotel “Solid” në Suharekë. Aty morën pjesë përfaqësues nga Komuna e Mamushës, duke përfshirë edhe drejtorin për urbanizëm, zyrtarë dhe përfaqësues të shoqatës së bujqve.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte i shumëfishtë kurse synimi ishte që të:
• Krijohet struktura konceptuale për planifikimin e veprimtarive dhe relacioneve të tij me PZHK-në,
• Prodhohen ide për veprimtari,
• Formulohen strategjitë dhe të përkufizohen veprimet/projektet e nevojshme për t’u zbatuar
• Përgatitet një plan veprimi me detyra të përkufizuara sa i përket përgjegjësisë, resurseve të nevojshme, prioriteteve, kohës së nevojshme, implikimeve financiare; 
Punëtoria dyditore ishte e ndarë në 4 sesione, ku secila prej tyre ishte përgatitur ashtu që të jepte informata të nevojshme për prodhimin e ideve dhe veprimtarive për planin e veprimit të PZHK-së.
Në sesionin e parë, një përfaqësues i komunës i prezantoi shkurtimisht tri fazat e përfunduara të PZHK-së: sfidat, vizionin, qëllimet/objektivat dhe kornizën për zhvillimin hapësinor. Sqarimet lidhur me lidhjet ndërmjet elementeve të planifikimit të PZHK-së si dhe udhëzimet për punë u dhanë nga përfaqësuesi i MuSPP.
Në sesionin e dytë dhe të tretë, pjesëmarrësit e ndarë në grupe sipas fushave tematike, i ofruan veprimet e mundshme për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të PZHK-së për planifikimin hapësinor dhe diskutuan mes vete. Fushat tematike përfshinin: gjendjen demografike dhe socio-ekonomike, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën dhe shërbimet publike dhe mjedisin, peizazhin dhe resurset natyrore dhe kulturore.  Më pas, këto veprime u renditën në një tabelë të planifikimit të veprimtarive dhe u prezantuan nga prezantuesi i grupit përkatës. 
Në sesionin e fundit, anëtarët e grupeve tematike i kanë renditur veprimet, projektet dhe programet e identifikuara në sesionet e mëparshme në një tabelë, duke i theksuar edhe institucionet përgjegjëse, implikimet financiare dhe afatet kohore.
Pjesëmarrësit e punëtorisë kanë kontribuuar në identifikimin e veprimeve të mundshme për t’u ndërmarrë në mënyrë që të sigurohet realizimi i vizionit për Mamushën.
Plani i veprimit i dalë nga kjo punëtori do të shërbejë si një bazë për përzgjedhjen e strategjive për zbatim, të cilat do të vlerësohen gjithashtu nga konsulenti për VSM.

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje