Lajme dhe Ngjarje

Partnerët e MuSPP i diskutojnë sfidat për zbatimin e planeve urbane dhe mjedisore në Kosovë

Zbatimi i planeve urbane dhe hapësinore paraqet një numër të vështirësive për komunat e Kosovës.  Në mënyrë që të adresohet kjo çështje dhe të ofrohen rekomandime të cilat do ta lehtësonin këtë proces, përfaqësuesit e komunave partnere të MuSPP, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), organizatave ndërkombëtare që merren me planifikim, stafi i MuSPP dhe të gjitha palët përkatëse me interes u takuan në një punëtori më 14 mars 2012.
Punëtoria filloi me fjalët përshëndetëse të Drejtoreshës së zyrës së UN-Habitatit në Kosovë, zj. Krystyna Galezia, e cila e përshkroi qëllimin e kësaj punëtorie. Ajo e theksoi rëndësinë e tubimit të përfaqësuesve nga niveli lokal dhe qendror i qeverisë dhe i palëve tjera përkatëse me interes që merren me planifikimin urban dhe hapësinor. Zj Galezia tha se është me rëndësi që të krijohen mekanizma adekuat për monitorimin e zbatimit të planeve dhe krijimit të treguesve të cilët do të mundësojnë matjen e ndikimit të zbatimit të planeve në cilësinë e jetesës së qytetarëve.  Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Arben Citaku, Sekretar i Përhershëm i MMPH, e përmendi kornizën ligjore për planifikimin urban dhe hapësinor dhe e shprehu falënderimin e tij për programin MuSPP dhe për mbështetjen e tij për komunat e Kosovës dhe për MMPH-në.
Sesioni i parë i punëtorisë filloi me një prezantim nga një përfaqësues i Departamentit për Planifikim Hapësinor të MMPH-së, zj Suzana Goranci, e cila u fokusua në kërkesat ligjore të planeve me vëmendje të posaçme në Planin Zhvillimor Komunal (PZHK). Edhe ajo e përmendi rolin e MuSPP në zbatimin e këtyre planeve. Prezantimi dha një pasqyrë të gjendjes ekzistuese të planeve në komunat e Kosovës. Pas prezantimit u vijua me sesionin e punës në grupe të përbëra nga komunat partnere të MuSPP kurse institucionet patën mundësi që t’i identifikojnë sfidat dhe problemet kryesore lidhur me zbatimin e planeve. Prezantimet e grupeve punuese i theksuan një numër të aspekteve të cilat e pengojnë zbatimin e suksesshëm të këtyre planeve siqasja e kufizuar në tokën për zhvillim.
Pas punës në grup u vazhdua me një prezantim nga zj. Lumnije Gashi prej MuSPP, e cila e përshkroi procesin e hartimit të PZHK-ve në dy komuna partnere të MuSPP: Junik dhe Hani i Elezit.  PZHK-të janë hartuar nga stafi komunal i këtyre komunave me mbështetjen e ekspertëve të MuSPP. Pjesa kryesore e prezantimit iu përkushtua fazës së 5-të të planit, d.m.thdispozitave për zbatim dhe planit të veprimit. Kjo pjesë e planit ishte në spikamë të diskutimeve gjatë tërë punëtorisë dhe tërhoqi më së shumti vëmendjen e të gjithë pjesëmarrësve. Ata i nxorën një numër të rekomandimeve duke e përfshirë idenë zhvillimit të Planeve gjithëpërfshirëse të Veprimit si pjesë përbërëse të PZHK/PZHU.
Çështja e zbatimit të planit u adresua në prezantimin e ekspertit të MuSPP, z. Hasse Eriksson, i cili u përgjigj në pyetjet e ngritura gjatë fazës përgatitore të kësaj punëtorie. Z. Eriksson e përmendi një sondazh të bërë në të gjitha komunat partnere të MuSPP lidhur me sfidat me të cilat ballafaqohen komunat gjatë zbatimit të planeve, si dhe intervistave me organet kryesore përgjegjëse për zbatimin e planeve.

 

Z. Modest Gashi, një planer urban nga Peja, i ndau përvojat e kësaj komune gjatë zbatimit të “udhërrëfyesit për Pejën”. Ai sqaroi se ky dokument ishte hartuar me përkrahjen e MuSPP në vitin 2007, si një mjet për ta mbështetur zbatimin e PZHK dhe PZHU. Po ashtu, ai e përshkroi strukturën organizative të zyrës komunale e cila e përkrah zbatimin e planeve urbane dhe hapësinore në këtë komunë. 
Të pranishëm në këtë punëtori ishin drejtori i Institutit për Planifikimin Hapësinor (IPH), z. Luan Nushi, si dhe drejtori i Departamentit për Planifikimin Hapësinor, z. Agim Radoniqi.  Përveç komenteve për gjendej e tanishme të komunave të Kosovës lidhur me zbatimin e planeve, z Nushi tha se baza e të dhënave e planifikimit hapësinor për kategorizimin e tokës është gati dhe paraqet një bazë të mirë gjatë hartimit dhe revidimit të planeve. Rekomandohet që IPH-ja duhet të organizojë trajnime për zyrtarët komunalë për shfrytëzimin e softuerit dhe për krijimin e bazës së të dhënave të planifikimit hapësinor e cila do të harmonizohet dhe lidhet me atë të nivelit qendror. IPH-ja ka nevojë për mbështetje për ta ofruar këtë trajnim për zyrtarët komunalë. Gjatë hartimit të dokumenteve të planifikimit kërkohet vetëdijesim politik dhe përfshirje politike, gjë që do të mundësonte zbatimin e planeve në mënyrë më të lehtë dhe më efikase. Nga niveli qendror duhet të përcaktohen treguesit si bazë për monitorimin dhe zbatimin e planeve komunale.
Rekomandimet e parashtruara gjatë kësaj punëtorie kishin të bënin me aspekte të ndryshme dhe i përfshinin të gjitha fushat të cilat do të ndikojnë në zbatimin e planeve dhe procesit të përgjithshëm të planifikimit. Shumë prej tyre e përmendin procesin e planifikimit, kontekstin politik, bashkëpunimin/bashkërendimin, shkëmbimin e informatave, legjislacionin, kontrollimin dhe inspektimin e zhvillimit, ndërtimin e kapaciteteve, planifikimin dhe buxhetimin, strukturën institucionale dhe organizative, pjesëmarrjen publike, etj.  Lista e rekomandimeve të dala nga kjo punëtori është e gjatë, dhe planifikohet që në një të ardhme të afërt të përpilohet një raport ku përfshihen të gjitha, i cili do t’u shpërndahet të gjitha komunave dhe institucioneve që kanë kontribuar në këtë punëtori. 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje