Lajme dhe Ngjarje

Ka nisur Vlerësimi Strategjik Mjedisor për PZHK të Graçanicës

Si pjesë e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) për komunën e Graçanicës, UN-Habitati e ka nisur procesin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM) të pjesës së partë të këtij dokumenti. Ekspertja e jashtme e MuSPP të UN-Habitatit, zj. Ana Petrovska, u takua me anëtarët e ekipit planifikues komunal (EPK) në Graçanicë më 15 dhe 16 mars 2012 për ta sqaruar procesin e VSM-së dhe për t’i diskutuar aspektet kryesore të zhvillimit të planifikuar që duhet të shqyrtohen nga ekipi. Në këtë takim ishte i pranishëm Drejtori i Institutit Hidro-Meteorologjik të Kosovës, z. Sylë Tahirsylaj.
Duke folur për matjet e cilësisë së ujit, ajrit dhe tokës, z. Sylë Tahirsylaj tha se ekzistojnë katër stacione për matjen e cilësisë së ajrit në rrjetin hidro-meteorologjik të Kosovës si dhe janë planifikuar edhe gjashtë stacione tjera.   Në të ardhmen, Instituti është duke planifikuar ta ndërtojë një stacion të tillë në territorin e komunës së Graçanicës për ta monitoruar ndotjen mjedisore të shkaktuar nga mbeturinat e minierave, tha ai. Z. Tahirsylaj i dorëzoi të dhënat lidhur me cilësinë e ajrit të mbledhura nga stacioni në Prishtinë, i cili është stacioni matës më i afërt aktualisht.
VSM-ja do të bëhet për pjesë individuale të PZHK-së për t’i verifikuar pjesët e tij kundër ndikimeve mjedisore të mundshme që mund t’i prekin zonat e mbrojtura, habitatet natyrore dhe kafshët e egra. Pas secilës pjesë, raporti i vlerësimit do t’i dërgohet Këshillit Drejtues për VSM të Graçanicës i cili është themeluar në mënyrë spontane gjatë një takimi me përfaqësuesit e disa ministrive.  Qëllimi i Këshillit Drejtues, i përbërë nga përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ministrisë së Qeverisjes Lokale, Ministrisë së Infrastrukturës, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, por i kryesuar nga Komuna e Graçanicës dhe bashkë-kryesuar nga Ministriae Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, do të jetë drejtimi dhe mbikëqyrja e vlerësimit të efekteve negative të identifikuara në mjedis dhe të përshtatet ky vlerësim me strategjitë dhe planet e nivelit kombëtar që janë relevante për komunën e Graçanicës.
Këshilli Drejtues për VSM të Graçanicës, po ashtu, do të përfshijë edhe përfaqësues të organizatave jo-qeveritare, shërbimeve publike komunale, shoqatave të bujqve dhe ndërmarrësve.
Kur të përfundohet raporti i VSM-së për PZHK-në, Instituti Hidro-Meteorologjik, Inspeksioni Komunal ose institucionet tjera përkatëse që merren me mjedisin do ta vazhdojnë monitorimin e ndikimeve të PZHK-së. 
Një pjesëtar i stafit të komunës është caktuar pikë kontakti për VSM-në për të siguruar një bashkëpunim më ët mirë ndërmjet organeve të ndryshme për këtë temë. Gjatë një vargu takimesh, pjesëmarrësit në to i kanë diskutuar një numër të çështjeve duke përfshirë edhe burimet alternative të energjisë, menaxhimin e mbeturinave të ngurta dhe ujërave të zeza, si dhe rreziqet nga prania e azbestit në sistemin e vjetruar të ujësjellësit. Po ashtu, janë ngritur edhe çështjet si masat për zhvillimin e ekonomisë lokale si krijimi i një parku biznesi dhe lirimeve nga taksat për bizneset e reja.
Në fund të misionit, ekspertja për VSM bashkë me stafin komunal dhe të MuSPP/UN-Habitatit ebënë një vizitë në terren për t’i parë nga afër kushtet e mjedisit natyror në Graçanicë, duke i përfshirë ndikimet e mbeturinave të ngurta dhe aktiviteteve të mëhershme të xehetarisë në tokë, në liqe dhe në lumenj.

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje