Lajme dhe Ngjarje

Paraqitja publike e fazës së parë të Planit Zhvillimor Komunal të Malishevës

Paraqitja publike e versionit të parë të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) të Malishevës u mbajt më 7 shkurt në Kuvendin Komunal. Dy fazat e para të planit komunal i ishin paraqitur një publiku më të gjerë, të përbërë kryesisht nga qytetarët e Malishevës, por edhe zyrtarë të komunës dhe të ministrive, përfaqësues të OSBE-së dhe ekspertë të tjerë.

Qëllimi i kësaj paraqitjeje publike ishte që opinionit të gjerë në Malishevë dhe institucioneve dhe aktorëve përkatës t'u ofrohen informata lidhur me progresin në hartimin e Planit Zhvillimor Komunal. Projekt profili dhe vizioni i PZHK-së përbëjnë dy fazat e para të procesit të planifikimit që është duke u ndërmarrë nga komuna me mbështetjen teknike nga UN-HABITAT-i. Plani është duke u përgatitur për tërë territorin e komunës, ku përfshihet zona urbane e Malishevës bashkë me 43 fshatra.

Kjo paraqitje u përqendrua në profilin komunal dhe gjendjen e Malishevës në Planin Hapësinor të Kosovës. U paraqitën hartat tematike dhe rezultatet e analizave lidhur me zhvillimin hapësinor dhe socio-ekonomik, infrastrukturën dhe shërbimet publike, mjedisin, vendbanimet, kushtet e banimit dhe të jetesës, si dhe sfidat zhvillimore. Komuna e Malishevës është duke e përdorë qasjen e hartimit vetvetiu të Planit Zhvillimor Komunal të tyre, që është e ndryshme nga praktika e kontraktimit të kompanive komerciale për këto plane.  

Në hapje të kësaj paraqitje publike, Kryetari i Malishevës, z. Isni Kilaj, e falënderoi ekipin punues të UN-Habitat-it për mbështetjen e dhënë në hartimin e fazave të para të PZHK-së dhe theksoi se "gjatë këtyre viteve të fundit janë bërë ndryshime të mëdha në Malishevë, sa i përket infrastrukturës dhe zhvillimit të përgjithshëm të komunës, kurse tani kërkohet që të përgatitet një plan në mënyrë profesionale nga ana e ekspertëve të gjitha fushave. Ky plan është shumë i rëndësishëm për zhvillimin urban dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të Komunës së Malishevës, dhe në të njëjtën kohë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Ky plan është për të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës".

Rezultatet e para të analizës së Regjistrimit të Popullsisë në 2011 flasin për një komunë me rritje të shpejtë me rreth 55000 banorë, me një trend demografik të shtimit të shpejtë të popullsisë (+32% shtim të popullsisë në 65 vitet e fundit, 1948/2011) dhe me strukturë shumë të re të popullsisë (rreth gjysma e popullsisë së komunës në vitin 2011 përbëhet nga të rinjtë nën moshën 20 vjeçare). Po ashtu, profili flet për një nivel të lartë të papunësisë: shkalla aktuale e papunësisë është 55.25% (10% më e lartë se shkalla e papunësisë në nivel vendi).

Komuna e Malishevës është në proces të ndryshimit të shpejtë të mënyrave të shfrytëzimit të tokës. Zgjerimi dhe shtrirja urbane rrezikon humbjen e tokës bujqësore e cila ende e përbën mbi 38% të sipërfaqes së tokës së komunës. Përveç efektit në komunitetet bujqësore dhe rurale, ky ndryshim i shpejtë në mënyrat e shfrytëzimit të tokës paraqet rrezik për humbjen e kompleksitetit të ekosistemit dhe për çrregullimin e strukturës së ekosistemit.

Sfidat e rëndësishme të identifikuara nga komuna janë çështjet e infrastrukturës së ujërave të zeza dhe kanalizimit, menaxhimit të mbeturinave, shfrytëzimi racional i tokës bujqësore, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë natyrore dhe kulturore, krijimi i mundësive për punësim me anë të stimulimit të prodhimtarisë bujqësore dhe blegtorale, agro-industria, industria minerare, turizmi dhe mbështetja e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Vizioni, parimet dhe objektivat e zhvillimit komunal për herë të parë janë trajtuar gjatë një punëtorie të mbajtur në maj 2012. Punëtoria e Vizionimit është mbajtur në Prevallë, ku është hartuar dhe konfirmuar deklarata e vizionit për zhvillimin e ardhshëm të komunës. Punëtoritë u organizuan me mbështetje të Programit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal, i zbatuar nga UN-HABITAT-i dhe i financuar nga Sida.

Deklarata e Vizionit e komunës është:  "Malisheva me mundësi për të gjithë, krenare për trashëgiminë e saj, e zhvilluar me resurse natyrore të shëndosha".

Vlerësimi Strategjik Mjedisor i PZHK-së do të fillojë së shpejti për t'i kuptuar ndikimet e mundshme ekonomike, sociale dhe mjedisore të planit të propozuar. Ky studim do ta inkorporojë PZHK-në dhe kërkohet sipas ligjit në Kosovë. VSM-ja, e realizuar nga një konsulent ndërkombëtar i pavarur, do të mundësojë të identifikohen se cilat janë ndikimet e rëndësishme ekonomike dhe mjedisore për prodhimtarinë dhe tregtinë, ruajtjen e ujit dhe tokës, etj. VSM-ja do të synojë që t'i shmang ndikimet mjedisore dhe t'i rrisë efektet pozitive, si dhe do t'i propozojë disa masa të caktuara për baraspeshimin e ndikimeve negative në mjedis nga cilido veprim i propozuar.

PZHK 2025 + i Malishevës ka karakter strategjik shumë-sektorial. Ai është një dokument që pritet ta përcaktojë një strategji të integruar për rregullimin e ardhshëm të hapësirës, duke ndjekur një vizion të qartë për të cilën është arritur përputhshmëria dhe përkushtimi i të gjitha palëve të interesit për të punuar drejt arritjes së qëllimeve dhe drejtimeve strategjike që i përmbahen këtij vizioni. Të gjithë qytetarët, komuniteti i biznesit, OJQ-të dhe të gjitha palët tjera me interes mund të marrin pjesë. Nëse keni nevojë për informata shtesë lidhur me Planin Zhvillimor Komunal apo nëse doni të jepni komente ju lutemi të shkruani në: pzhkmalisheve@gmail.com ose komuna.malisheve@rks-gov.net (Telefoni: 029 269 043)

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje