Lajme dhe Ngjarje

Oborre të qëndrueshme të shkollave - projekt i ri në Rahovec

Të mërkurën më 21 mars, në Kuvendin Komunal të Rahovecit, u organizua një ceremoni për shpalljen e fituesve të konkursit i cili ishte hapur për të gjitha shkollat e kësaj komune në fillim të muajit shkurt të këtij viti. Kjo ceremoni u organizuar bashkërisht nga Programi për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal të UN-Habitat-it i financuar nga Qeveria e Suedisë dhe nga Komuna e Rahovecit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Kryetari i Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, përfaqësuesit e Drejtorisë për Urbanizëm dhe Arsim, përfaqësuesit e MuSPP të UN-Habitat-it nga Rahoveci dhe Prishtina, si dhe përfaqësuesit e shkollave.

Kjo ceremoni filloi me fjalën përshëndetëse të Kryetarit të Komunës, z. Latifi, i cili e shprehu falënderimin e tij për Programin MuSP, për përkrahjen profesionale të dhënë lidhur me dokumentin e PZHK-së, i cili tani ndodhet në fazën përfundimtare të tij. Ky dokument është hartuar nga një kompani e kontraktuar, kurse stafi i MuSPP-së ka dhënë komente të cilat  ia kanë shtuar vlerën këtij dokumenti. Përfaqësuesja e MuSPP-së, zj. Catarina Camarinhas, e përshkoi tërë procesin dhe konceptin e oborreve të qëndrueshme të shkollave, si dhe rolin e programit MuSPP në këtë konkurs, si dhe mbështetjen e përgjithshme profesionale të dhënë Komunës së Rahovecit.

Nga 17 aplikacione sa ishin pranuar gjithsej, dy shkolla u shpallën fituese, njëra nga qendra e qytetit të Rahovecit, shkolla e mesme "Xhelal Hajda-Toni", kurse tjetra nga njëri prej fshatrave më të mëdha të Rahovecit, "Hamëz Thaçi" në Xërxë. Të drejtë pjesëmarrjeje në këtë konkurs kishin të gjitha shkollat fillore dhe të mesme nga Komuna e Rahovecit që janë 29 gjithsej.

Struktura e shkollës "Xhelal Hajda-Toni" është shumë e përshtatshme për ta mbajtur shkollën verore si një nga risitë në këtë koncept dokument. Në kuadër të projektit është propozuar një amfiteatër për klasat e hapura, fusha e sportit dhe një park i cili do të ishte i hapur për nxënësit dhe për komunitetin. Po ashtu, me anë të projektit propozohet ndriçimi publik, një kinema e hapur dhe hapësira e parkingut për vetura dhe biçikleta.

Shkolla "Hamëz Thaçi" në Xërxë ka një hapësirë të konsiderueshme në oborrin e saj, prandaj koncept dokumenti i saj ishte përgatitur shumë mirë. Procesi i konsultimeve për përgatitjen e koncept dokumentit ka qenë shumë transparent dhe i ka përfshirë aktorët e ndryshëm si: nxënësit, mësimdhënësit dhe pjesëtarët e komunitetit. Me këtë projekt propozohet që të organizohen hapësira të ndryshme për grup-moshat e ndryshme, një serë, një amfiteatër, fusha e sportit dhe një fontanë, dhe gjithashtu është propozuar që të organizohen aktivitete edukative mjedisore.

Përmirësimi i oborreve të shkollave është përzgjedhur si njëri nga prioritetet e identifikuara nga kjo komunë nëpërmjet procesit të planifikimit komunal me pjesëmarrje. Punëtoria e parë për shqyrtimin e konceptit të oborreve të qëndrueshme të shkollave në Rahovec dhe mënyrën se si do t'i përshtatet kjo synimeve për zhvillimin lokal është mbajtur në dhjetor të vitit 2012. Kjo punëtori është organizuar bashkërisht nga Drejtoria për Urbanizëm e Komunës së Rahovecit dhe MuSPP i UN-Habitat-it.

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje