Lajme dhe Ngjarje

Projektet "Kopshtet e qëndrueshëm të shkollave" në Rahovec - Prezantim publik më 30 maj, 2013

Përmirësimet në kopshtet e shkollave janë përzgjedhur si prioritet nga ana e Komunës së Rahovecit përmes procesit  të planifikimit komunal me pjesëmarrje. Janë vendosur kushtet dhe objektivat e qarta për kopshtet e qëndrueshme të shkollave, dhe është zhvilluar një garë në mes të gjitha shkollave të komunës. Dy shkolla janë përzgjedhur si fituese, shkolla e mesme "Xhelal Hajda-Toni" në qendër të qytetit dhe shkolla fillore në fshatin e madh të Xërxës, "Hamez Thaci". Ato u shpërblyen duke jua zbatuar propozimet e tyre për kopshtet e shkollave, pas një projektimi të kujdesshëm dhe një sërë aspektesh tjera të mara parasysh.

Të dy PIK-të (Projektet e Investimeve Kapitale) do të financohen me një bazë të përbashkët 50/50 nga Komuna e Rahovecit dhe Programi i UN-Habitatit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP), i financuar nga Korporata Suedeze për Zhvillim.

Si pjesë e procesit të  PIK-ut në Rahovec, një prezantim i dytë publik i dy kopshteve u mbajt më 30 maj të vitit 2013, në Shtëpinë e Kulturës të Rahovecit, për të gjitha palët e interesuara. Kjo ngjarje u organizua bashkërisht nga UN-Habitat-i/MuSPP dhe Komuna e Rahovecit.  Prezent në këtë ngjarje ishte edhe nën-kryetari i komunës së Rahovecit Z. Tara, përfaqësuesit e Drejtoratit të Urbanizmit, Arsimit dhe Punëve Publike, përfaqësuesit nga UN-Habitat-i/MuSPP, dhe nxënësit dhe mësuesit nga dy shkollat, në përgjithësi rreth 70 pjesëmarrës.

Në fjalimin e tij hapës  nën-kryetari i Komunës shprehi falënderimin e tij ndaj UN-Habitat/MuSPP dhe stafit të tij për punën dhe përkushtimin e dhënë në këto projekte, si dhe për financimin nga ana Suedeze. Ai theksoi se këto projekte janë shumë të rëndësishme për komunën sepse investimet në kopshtet e shkollave do të rrisin cilësinë e mësimit, dhe shumë gjenerata të ardhshme të do të përfitojnë nga kjo.

Drejtoresha e Departamentit të Arsimit dhe Rinisë, Znj. Hoxha, gjithashtu theksoi rëndësinë e këtyre projekteve për cilësinë e mësimit në shkolla  dhe i përgëzoi nxënësit, mësimdhënësit, zyrtarët e komunal dhe stafin e UN-Habitat/MuSPP për përkushtimin e tyre të treguar në fazën fillestare. Ajo mbeti e bindur se kjo energji do të vazhdoj përgjatë gjithë implementimit të këtyre projekteve.

Përfaqësuesi i UN-Habitat/MuSPP Z. Engstrom theksoi se proceset në projekte të tilla janë po aq të rëndësishme sa edhe vet produkti final, nxitja e kreativitetit, bashkëpunimi dhe pronësia. Ai vuri në pah aspektet mjedisore dhe të qëndrueshmërisë siç janë hartimi dhe përzgjedhja e materialeve, mirëmbajtja dhe zbatimi në faza. . Pas prezantimit, duke treguar projektimet e fundit, të gjitha palët e interesuara do të mirëpriten që të shprehin pikëpamjet dhe shqetësimet e tyre.

Ngjarja vazhdoi me prezantimin e dy projekteve të kopshteve të shkollave nga një zyrtar i Departamentit për Punë Publike, duke treguar në detaje të gjithë procesin e projekteve nga faza e tyre fillestare deri tek projektimet e tanishme, duke shfaqur vizatimet teknike si dhe vizualizimin 3D. 

Pas prezantimit, përfaqësuesit e palëve të interesuara kanë shprehur shqetësimet dhe rekomandimet e tyre. Projektet do të zhvillohen më tej nga grupet e përbashkëta punuese, duke marr parasysh këto vërejtje dhe të gjitha aspektet e tjera. Faktorët përcaktues do të jenë, funksionaliteti, qëndrueshmëria, ndikimi mjedisor dhe kostoja. Procesi i finalizimit të projektimit të projektit, kalkulimit të kostove, miratimin formal nga UN-Habitat-i dhe procedurat e prokurimit tregojnë që periudha e ndërtimit do të filloj në pranverën e vitit 2014. 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje