Lajme dhe Ngjarje

Hapja e shqyrtimit publik për Planin Zhvillimor Komunal të Graçanicës 2013-2028 dhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor

Hapja e shqyrtimit publik të Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) për komunën e Graçanicës  u mbajt më 1 gusht të vitit 2013 në Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë. Ceremonia filloi me fjalën hyrëse nga ana e këshilltarit politik të kryetarit të komunës së Graçanicës z Periq, i cili vuri në dukje punën e vështirë që është bërë për të finalizuar këtë plan. Ai shprehu mirënjohjen e tij për MuSPP-in e UN-Habitat-it dhe stafin e saj për përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar duke punuar së bashku me stafin komunal. Zyrtari përgjegjës i UN-HABITAT-it, z. Ishaku Maitumbi, ofroi një përmbledhje të shkurtër të procesit të përgjithshëm të planifikimit në komunën e Graçanicës, duke theksuar dimensionin e ngritjes së kapaciteteve të procesit. Ai i`u referua ndërtimit të marrëdhënieve të mira me komunën gjatë bashkëpunimit për përcaktimin e prioriteteve të qëndrueshme të zhvillimit hapësinor për të ardhmen e komunës së Graçanicës. Gjatë procesit, jo gjithmonë janë ndarë pikëpamje të njëjta mbi kornizën ideore të planit, është bërë një përpjekje e madhe në ngritjen e njohurive komunale përkitazi me praktikat e qëndrueshëm të planifikimit, me rezultate domethënëse.   

Drejtor i Departamentit të Planifikimit Hapësinor në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Z. Agim Radoniqi, përshëndeti procesin e hartimit të PZHK-së të komunës së Graçanicës i cili ka ngritur kapacitetet komunale, si dhe ka plotësuar një detyrim ligjor për komunën. Përfaqësuesja e Institutit për Planifikim Hapësinor, znj. Elvida Pallaska, vuri në dukje bashkëpunimin e mirë të komunës me institucionet e nivelit qendror dhe organizatat e tjera, që duhet të shërbejë si një model funksionimi për komunat tjera në Kosovë. Ajo gjithashtu theksoi se çdo plan i hartuar për Komunat e Kosovës është një përmbushje e Planit Hapësinor të Kosovës. Drejtoresha e Departamentit të Urbanizmit dhe Planifikimit të Komunës së Graçanicës, znj Nada Brkljac, dha një pasqyrë të përgjithshme të procesit të hartimit të PZHK-së, e cila u karakterizua me konsultime të rregullta me organizata nga shoqëria civile, shoqata të biznesit dhe sektorët tjerë të përfshirë. Ajo gjithashtu përshëndeti asistencën në praktikë dhe mbështetjen profesionale të MuSPP-së së UN-Habitat-it të ofruar gjatë hartimit të planit. Drafti i PZHK-së u prezantua nga planifikuesit komunal dhe menaxherja e projektit. Znj Natasha Dimitrijevic, e cila shpjegoi përmbajtjen kryesore të planit, duke përfshirë qëllimet dhe objektivat kryesore të përcaktuara për adresimin e sfidave të zhvillimit të komunës së Graçanicës për 15 vitet e ardhshme. Seanca përfundoi me prezantimin e rezultateve nga Vlerësimin Strategjik Mjedisor (VSM) për PZHK-në, të prezantuar nga përfaqësuesja e UN-Habitat-it, znj. Catarina Camarinhas. Studimi është zhvilluar paralelisht me PZHK-në nga një konsulent i pavarur i mandatuar nga UN-Habitat-i.

Shqyrtimi publik u shpalos në ueb-faqen e komunës dhe tani është i hapur për qytetarët e komunës së Graçanicës, institucionet qendrore, shoqërinë civile, mediet, dhe të gjitha palët relevante të interesit. Ngjarja u ndoq nga një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve nga grupet e lartpërmendura.

Komuna e Graçanicës u themelua zyrtarisht në vitin 2009, dhe pavarësisht se është një komunë e re, PZHK-ja është hartuar nga stafi i komunës me mbështetjen profesionale të stafit të MuSPP-së përmes asistimit në praktikë. Procesi i hartimit është mbështetur edhe nga Departamenti dhe Institutit për Planifikim Hapësinor i MMPH-së përgjatë të gjitha fazave. Ajo ka përfshirë disa prezantime publike dhe konsultime me palët e ndryshme të interesit.

Diskutimi publik i PZHK-së së komunës së Graçanicës do të jetë i hapur për 60 ditë, dhe kjo do të jetë një mundësi e mirë për qytetarët dhe të gjitha palët e interesuara për të dhënë komentet dhe rekomandimet. Pas diskutimit publik dokumentet do të shqyrtohen së bashku me komentet e dërguara gjatë kësaj periudhe. Dokumentet përfundimtare do të dorëzohen në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mënyrë që të verifikohet pajtueshmëria e plotë e tyre me Ligjin aktual para miratimit nga Kuvendi Komunal.

Gjatë periudhës së shqyrtimit publik, dokumentet e PZHK/VSM janë në dispozicion në ndërtesën komunale të Graçanicës ose mund të shkarkohen për shqyrtim nga ueb-faqja e komunës.

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje