Lajme dhe Ngjarje

Hapja e shqyrtimit publik të draft-Planit Zhvillimor Komunal (PZHK) në Partesh

Hapja e shqyrtimit publik për draft-Planin Zhvillimor Komunal të Parteshit  u mbajt më 4 shtator të vitit 2013, në lokalet e ndërtesës së re të komunës. Ceremonia e shqyrtimit publik filloi me fjalën përshëndetëse të nënkryetarit, Dejan Joqiq, i cili përshëndeti procesin e hartimit të PZHK-së, dhe shprehu mirënjohjen e tij ndaj MuSPP-it të UN-Habitat-it për mbështetjen e tyre profesionale gjatë tërë procesit. Ai gjithashtu e konsideroi draftin e PZHK-së si një strukturë për zhvillimin komunal, sepse ai do të jetë bazë për projektet e ardhshme siç janë planet rregulluese, dhe projekte të tjera që do të dalin nga PZHK-ja dhe më e rëndësishmja, për zhvillimin ekonomik lokal. 

Drejtori i Departamentit të Planifikimit Hapësinor në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), z. Agim Radoniqi, e ka konsideruar hapjen e shqyrtimit publik për PZHK-në si një ngjarje shumë të veçantë për komunën e Parteshit, sepse ai është i plani i parë që është hartuar për këtë komunë të re, dhe gjatë këtyre ditëve të gjithë qytetarët dhe organizatat që veprojnë këtu, do të kenë mundësinë për të dhënë mendimet dhe sugjerimet e tyre.

Zyrtari përgjegjës i Programit të Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP)të UN-Habitat-it, z. Ishaku Maitumbi, përshëndeti stafin profesional komunal dhe të MuSPP-it për punën e bërë, dhe theksoi se plani i jep një mundësi komunës për t’u zhvilluar në një mënyrë të balancuar. PZHK-ja përcakton shumë qartë qëllimet dhe objektivat e komunës për 10 vitet e ardhshme, prezantimi dhe shpalosja e PZHK-së në tri vendbanime të komunës, do të ofrojë një mundësi të mirë për të gjithë qytetarët që të shprehin pikëpamjet e tyre lidhur me planin.

Pas fjalës përshëndetëse plani u prezantua nga Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit, Mjedisit, Kadastrës dhe Pronës në kuadër të komunës së Parteshit, z. Todor Ivanoviq, i cili prezantoi bazën ligjore për hartimin e planit, situatën ekzistuese dhe gjithashtu të gjitha qëllimet dhe objektivat të cilat janë të përcaktuara për 10 vitet e ardhshme. Në fund të prezantimit, Z. Ivanoviq, inkurajoi të gjithë pjesëmarrësit që të marrin pjesë në mënyrë aktive në shqyrtimin publik, dhe u siguroi se prezantime të ngjashme do të mbahen në vendbanimet e tjera të komunës.

Shqyrtimi publik i PZHK-së së Parteshit do të jetë i hapur për 60 ditë, më pas dokumentet do të shqyrtohen së bashku me komentet e bëra gjatë kësaj periudhe. Dokumentet përfundimtare do të dorëzohen në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mënyrë që të verifikohet përputhja e plotë e tyre me ligjin aktual dhe para miratimit nga Kuvendi Komunal.

Gjatë periudhës së shqyrtimit publik, dokumentet e PZHK-së së Parteshit së bashku me hartat e ekspozuara janë në dispozicion në ndërtesën e komunës apo mund të shkarkohen për shqyrtim nga ueb- faqja e komunës.

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje