Lajme dhe Ngjarje

U publikua raporti “Gjendja e Qyteteve Evropiane në tranzicion 2013”

Në tetor 2013, UN-Habitati e ka nxjerrë raportin e tij: Gjendja e Qyteteve Evropiane në Tranzicion 2013: Vlerësimi i 20 viteve të reformës. Ky publikim i analizon ndikimet mbi qytetet e 23 vendeve dhe territoreve të Evropës tranzicionale, të cilat në fillim të viteve 1990 e filluan tranzicionin e tyre nga ekonomitë me planifikim të centralizuar drejt sistemeve demokratike dhe të bazuara në treg.

Raporti vë në dukje se Evropa tranzicionale ka bërë shumë angazhime në adresimin e ndotjes famëkeqe të saj të ajrit, tokës dhe ujit . Por, ka ende shumë për t'u bërë në këtë drejtim, me një theks të veçantë të vënë mbi cilësinë e ajrit urban. Mbyllja e shumë industrive të rënda ishte një veprim miqësor ndaj mjedisit, por transporti u bë burimi tjetër i madh i ndotjes së ajrit, kryesisht për shkak të numrit të madh të automjeteve të vjetra. Motorizimit në Evropën Lindore është rritur në mënyrë dramatike gjatë dy dekadave të fundit për shkak të kërkesës në rritje për lëvizshmërinë që lidhet me sub-urbanizimin. Këto probleme mund të lehtësohen me më shumë investime në sistemet e transportit publik urban.

Deri më tani nuk janë bërë ndryshime radikale për t’i adresuar ndryshimet klimatike e as që pritet të bëhen së shpejti. Qytetet e Evropës Lindore kryesisht tregojnë pak interes për këtë, sepse vetëm pak nga to përballen me kërcënime të drejtpërdrejta nga kjo gjë. Meqë gati dy të tretat e popullsisë së rajonit tranzicional është e urbanizuar, përputhshmëria e qyteteve me objektivat e BE-së 2020 do të jetë i një rëndësie të madhe. Prandaj, reformat e politikave kombëtare janë të nevojshme në të gjitha vendet në tranzicion për t’u ndihmuar komunave që ta përmirësojnë cilësinë e ajrit të tyre, menaxhimin e mbeturinave dhe efikasitetin e energjisë. Ri-zhvillimi i tokave industriale urbane është një çështje tjetër urgjente që duhet të adresohet në mënyrë që zonat urbane të ndotura dhe të braktisura të mund të përdoren për ri-zhvillimin urban.

Me çmimet e naftës dhe gazit në rritje, ky raport vëren se përmirësimi dhe efikasiteti i konsumit urban të energjisë duhet të bëhet prioritet. Ekonomitë familjare janë konsumatorët kryesorë të energjisë për shkak se njësitë e banimit janë kryesisht të vjetra, joefikase në shpenzimin e energjisë dhe të pajisura me pajisje që kërkojnë energji intensive. Një shqetësim i veçantë është jo-efikasiteti energjetik i ngrohjeve qendrore, me humbjet sistematike të regjistruara deri në 88 për qind. Gjithashtu, duke pasur parasysh kushtet klimatike në vendet e Baltikut, kursimi i energjisë përmes përmirësimit të izolimit të banesave mund të jetë shumë i rëndësishëm.

Po ashtu, ujërat e zeza dhe hedhja e mbeturinave vazhdojnë të jenë problematike në shumë qytete në të gjithë Evropën tranzicionale. Kjo zakonisht paraqitet në komunat më të vogla që nuk kanë kapacitete për t’i ofruar këto shërbime në mënyrë adekuate. Për shembull, lidhjet me sistemet e kanalizimeve dallojnë shumë në të gjithë rajonin, por, me vetëm 39 për qind ato janë ende tepër të ulëta në Mal të Zi. Shqipëria ndodhet në situatë të ngjashme jo të mirë në këtë drejtim, me më pak se dy të tretat e banesave të pajisura me një tualet shtëpie.

Raporti i plotë mund të shkarkohet:

http://www.unhabitat.org/pmss/listItemDetails.aspx?publicationID=3493    

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje