Lajme dhe Ngjarje

Prezantimi i dytë publik i projektit për përmirësimin e rrugëve Adem Jashari dhe Zijah Shemsiu në Gjilan

Në mënyrë që ta rrisë pjesëmarrjen e publikut dhe t'i paraqesë zhvillimet në projektimin e Projektit të Investimeve Kapitale (PIK),Departamenti i Shërbimeve Publike i Komunës së Gjilanit, i mbështetur nga Programi i UN-HABITAT-it për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP), i financuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim, e ka organizuar prezantimin e dytë publik për rrugët Adem Jashari PIK dhe Zijah Shemsiu. Ky prezantim publik u organizua në sallën e Teatrit të Qytetit më 9 tetor dhe u pasua me shpalosjen e projektit që qëndroi i hapur deri më 11 tetor. Në këtë prezantim morën pjesë aktive një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, një përfaqësues i HANDIKOS-it, përfaqësues komunalë, duke e përfshirë kryetarin, zëvendës-kryetari dhe drejtorët e departamenteve, si dhe përfaqësues nga policia e komunikacionit. Ky prezantim u pasqyrua edhe nga mediat lokale.

Rrugët Adem Jashari dhe Zijah Shemsiu paraqesin një nga arteriet kryesore dhe më të vjetra të Gjilanit. Pozita e këtyre rrugëve, funksionet që janë zhvilluar përgjatë tyre - arsimi, shëndetësia, biznesi, administrata, rekreacioni dhe koha e lirë, trashëgimia, feja, si dhe lidhjet me pjesët e ndryshme të qytetit i bëjnë ata dy nga rrugët më të frekuentuara në qytet, si nga këmbësorët ashtu dhe nga makinat. Qëllimet kryesore të PIK për rrugët Adem Jashari dhe Zijah Shemsiu janë përmirësimi i infrastrukturës, lëvizshmërisë, sigurisë, përfshirja, dhe përmirësimi i hapësirave publike përgjatë këtyre rrugëve.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, në fjalimin e tij të hapjes e shprehu vlerësimin e tij për departamentet komunale të Shërbimeve Publike dhe Urbanizmit për angazhimin e tyre në këtë projekt . Lidhur me bashkëpunimin dhe mbështetjen, z. Mustafa tha se komuna e Gjilanit është duke u mbështetur nga partnerët e ndryshëm teknikë dhe financiarë, duke përfshirë edhe UN-Habitatin, i cili e ka mbështetur Gjilanin për shumë vite me radhë. Z. Mustafa e theksoi nevojën dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut në projektet komunale. Duke folur për rëndësinë e PIK për rrugët Adem Jasharin dhe Zijah Shemsiu, z. Mustafa tha se ai është një nga projektet që do të kontribuojnë në përmirësimin dhe modernizimin e qytetit.

Përfaqësuesja e UN-HABITAT/MuSPP, znj. Catarina Camarinhas e përgëzoi komunën për ndërmarrjen e iniciativës për promovimin e pjesëmarrjes së publikut dhe deklaroi se ky është një projekt i rëndësishëm për Gjilanin, si dhe një piketë tjetër e rëndësishme në zbatimin e Planit të Veprimit për Lëvizshmërinë, një projekt i zhvilluar nga komuna e Gjilanit së bashku me USAID-in. Koncepti i përmirësimit të lëvizshmërisë së butë është shumë i rëndësishëm në agjendën e UN-Habitatit për planifikimin e qëndrueshëm, si një mënyrë për ta promovuar atraktivitetin, mundësinë e ecjes dhe kompaktësinë e qendrave të qyteteve. Në rastin e Gjilanit, ky është një trend që ka nevojë vetëm për t'u inkurajuar pasi ai tashmë është një aspekt i rëndësishëm i karakterit të tij, me një qendër shumë të gjallë dhe aktive të qytetit, që duhet të promovohet dhe zhvillohet më tej.

Projekti u prezantua nga z. Enver Biçkaj, inxhinier trafiku në Departamentin e Shërbimeve Publike. Gjatë prezantimit, z Biçkaj e theksoi një qasje të re, ku prioritet i është dhënë këmbësorëve, çiklistëve dhe transportit publik. Meqë projekti dhe ndërhyrjet do t'i mbulojë vetëm hapësirat rrugore ekzistuese, z. Biçkaj paraqiti gjithashtu ilustrime të përmirësimeve të hapësirës rrugore dhe funksionimin e tyre. Përpara përmirësimit të lëvizshmërisë dhe punëve në hapësirat publike, ky projekt e parashikon përfundimin e infrastrukturave nëntokësore.

Prezantimi u pasua nga diskutimet, ku Kryetari i Komunës Qemajl Mustafa, Drejtori i Shërbimeve Publike, z. Behar Mehmeti, inxhinieri komunal i trafikut z. Enver Biqku, dhe inxhinierja komunale e infrastrukture znj Drita Kajtazi dhanë shpjegime për pjesëmarrësit e interesuar. Pyetjet kryesore u përqendruan në periudhën e ndërtimit, funksionimit dhe menaxhimit të trafikut, dhe vetëdijesimit të qytetarëve.

Mendimet, sugjerimet dhe propozimet e bëra nga qytetarët u mblodhën në vendin ekspozitës dhe përmes internetit. Ato do të shqyrtohen, vlerësohen dhe do të përfshihen në projekt. Projekti kryesor për Përmirësimin e rrugëve Adem Jasharit dhe Zijah Shemsiu do të realizohet nën mbikëqyrjen e ekipit profesional komunal, dhe më pas do të pasohet me procedurat dhe proceset e zbatimit.

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje