Lajme dhe Ngjarje

UN-Habitat-i dhe Komuna e Prishtinës zyrtarisht kanë nënshkruar marrëveshjen mbi fushat e bashkëpunimit

Ztr. Shpend Ahmeti, kryetari i komunës së Prishtinës, dhe Ms Gwendoline Mennetrier, Krye-këshilltare teknike e UN-Habitat-it/Programit të Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal në Kosovë (MuSPP), të financuar nga Bashkëpunimi për Zhvillim i Suedisë, nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi që siguron një kuadër bashkëpunimi drejt një zhvillimi të mëtejmë të qëndrueshëm nëpërmjet aplikimit të metodave moderne të planifikimit, demokracisë së zgjeruar lokale përmes proceseve me pjesëmarrje dhe transparente të planifikimit komunal dhe formulimit të përmirësuar të politikave dhe strategjive që adresojnë kohezionin territorial dhe përfshirjen sociale.

Në këtë perspektivë, MuSPP/UN-Habitat-i do të mbështesë forcimin e kapaciteteve të stafit komunal që punojnë me të dhëna gjeografike dhe kryejnë analizat GIS në mbështetje të planifikimit strategjik dhe urban, zhvillimit dhe administrimit të tokës. Përveç kësaj, si anëtar i konsorciumit hulumtues "Modelimi i Politikave të Ardhshme' (FUPOL) dhe në bashkëpunim me koordinatorin e konsorciumit Cellent AG, UN-Habitat do të mbështesë zbatimin e një projekti pilot FUPOL në Komunën e Prishtinës me qëllim të përkrahjes së hartimit të politikave publike dhe ciklit të zbatimit me teknologji dhe metoda të reja të e-qeverisjes, e-pjesëmarrjes dhe modelimit të politikave. Si komponentë e tretë e këtij memorandumi, që ndërlidhet me Programin Global të Hapësirës Publike të UN-Habitatit dhe kompanisë suedeze Mojang,  UN-Habitat-i do të mbështesë zbatimin e një projekti pilot Minecraft, që synon përdorimin e lojës Minecraft/Lego si një mjet të pjesëmarrjes së komunitetit në përmirësimin e hapësirave publike prioritare.

"Ne kemi nënshkruar sot një Memorandum të Mirëkuptimit që definon fushat e bashkëpunimit të identifikuara nga të dy palët në pajtim me prioritetet e zhvillimit të Komunës së Prishtinës. Do të ofrohet trajnimi në GIS, si një mjet që mundëson mbledhjen dhe analizën e të dhënave dhe vendimmarrjen. Programi i UN-Habitat-it gjithashtu do të mbështes zbatimin e dy pilot projekteve në komunën e Prishtinës, në mënyrë që të përkrahet formësimi pjesëmarrës i politikave publike dhe dizajni i hapësirave publike me qëllim të përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve nëpërmjet zbatimit të teknologjive dhe metodave të reja të e-qeverisjes, e-pjesëmarrjes dhe modelimit të politikave të ardhshme", tha znj. Mennetrier.

Kryetari i Komunës Ztr. Ahmeti theksoi se projekti i ndërtimit të sistemit të informacionit gjeografik GIS mbetet një nga projektet kryesore të Komunës së Prishtinës. "Kjo ka të bëjë me vendosjen e të gjithë informacioneve të qytetit në një sistem të vetëm, gjë që na mundëson më pas që ne të menaxhojmë shumë më mirë me resurset që i kemi në Prishtinë. Mungesa e një sistemi të tillë paraqet vështirësi në menaxhimin dhe planifikimin adekuat të Prishtinë, ndërsa me sistemin GIS ne përfundimisht ndërtojmë një sistem, i cili iu mundëson vendimmarrësve që saktësisht të dinë se si ta orientojnë zhvillimin në urbanizmin e Prishtinës", tha ztr. Ahmeti.

Ai, njëkohësisht, e informoi znj. Mennetrier se tashmë janë përgatitur njëzet projekte për gjelbërimin e hapësirave të pashfrytëzuara dhe se paraprakisht ato janë duke u diskutuar me qytetarët, para se të kalojnë në fazën e realizmit.

Kryetari Ahmeti tha se gjatë vitit të parë të qeverisjes së tij janë realizuar 51 diskutime publike dhe se fillimisht qytetarët kanë hezituar të bëhen pjesë e tyre, mirëpo me kalimin e kohës, atyre iu është rikthyer besimi se vërtetë ata mund të ndikojnë dhe kontribuojmë me idetë dhe sugjerimet e tyre. Andaj, siç tha ai, tashmë vërehet një interesim i madh i pjesëmarrësve në diskutime publike, të cilët bashkërisht me Komunën e Prishtinës vendosin për projektet që janë prioritare për lagjet e tyre. Iniciativat FUPOL dhe Minecraft do të ofrojnë mundësi shtesë për të përfshirë në mënyrë aktive qytetarët e Prishtinës në formësimin e qytetit dhe lagjeve të tyre.

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje