Lajme dhe Ngjarje

Lansohet moduli i trajnimit për Projektet të Investimit kapital (PIK) si i pari në serinë e “Trajnimit të Trajnerëve”

Në vazhdën e shpalosjes së "përmbledhjes së udhëzuesve të MuSPP-it për vetë-qëndrueshmëri", Programi i Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal në Kosovë (MuSPP) organizoi eventin 2 ditor të "Trajnimit të Trajnerëve" për Menaxhimin e Projekteve të Investimit Kapital (PIK) bazuar në modulin e zhvilluar më parë. Trajnimi u mbajt në datat 28 dhe 29 prill në Durrës të Shqipërisë.  Qëllimi i trajnimit është të kalojë pjesëmarrësit përmes një sesioni trajnimi të mirë-strukturuar me synim pajisjen e tyre me njohurinë e duhur që do t'ua mundësonte të bëheshin trajnerë potencial për trajnimin e grupeve të synuara në tërë Kosovën. 

Pjesëmarrësit e trajnimit ishin përzgjedhur kryesisht nga komunat partnere të MuSPP-it për arsye të përvojës së tyre të mëhershme me qasjen e MuSPP-it në zhvillimin dhe menaxhimin e Projekteve të Investimit Kapital. Pjesëmarrësit e  tjerë të përzgjedhur ishin nga niveli qendror qeverisës, komuna e Prishtinës dhe komunat veriore të Kosovës.  Në trajnim ishin gjithsej 16 pjesëmarrës të përbërë nga 4 gra dhe 12 burra. 

Trajnimi filloi me një përmbledhje teorike të qasjes gjithëpërfshirëse të MuSPP-it në zhvillimin dhe menaxhimin e PIK-ëve, krahas parimeve dhe teknikave të dizajnit të qëndrueshëm urban. I tërë prezantimi u përcoll me diskutime interaktive mes pjesëmarrësve. Prezantimi ishte tërësisht i bazuar në Udhëzuesin e Menaxhimit të PIK-ëve dhe publikimin e MuSPP-it "Kthimi i Hapësirave në Vende".

Në mënyrë që pjesëmarrësit të familjarizohen edhe më tej me qasjen e lartpërmendur të MuSPP-it, ata kaluan nëpër procesin e zhvillimit të një PIK-u brenda kontekstit të një ushtrimi 3 pjesësh të identifikimit/përzgjedhjes së një projekti, dizajnit dhe implementimit të tij. Ushtrimet ishin përgatitur në atë mënyrë që pjesëmarrësit e ndarë në tre grupe patën mundësi të identifikojnë palët e mundshme të interesit , të identifikojnë projektin përmes negocimit duke luajtur rolin e palëve të caktuara interesit, të zhvillojnë një dizajn të konceptit të projektit përmes aplikimit të parimeve/teknikave të dizajnit të qëndrueshëm urban, si dhe të trajtojnë çështje lidhur me zbatimin e projektit.

Përfundimisht, gjatë ditë së dytë të trajnimit, pjesëmarrësit ishin në gjendje të demonstrojnë diturinë dhe aftësinë e fituar për dhënie trajnimi duke simuluar një detyrë për bashkëpjesëmarrësit.    

 

 

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje