Lajme dhe Ngjarje

Komunitetet në Gorancë dhe Paldenicë shfrytëzojnë hapësirat e rregulluara publike

Komuna e Hanit të Elezit dhe Programi për Mbështetje të Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP) i UN Habitat-it më 27 maj 2015 inauguruan Projektin e Investimit Kapital "Rregullimi i Hapësirave Publike në Gorancë dhe Paldenicë - Hani i Elezit". Projekti është zhvilluar së bashku nga të dyja palët përderisa përzgjedhja e tij është bërë bazuar në "Studimin e Fizibilitetit për Përmirësimin dhe Menaxhimin e Furnizimit me Ujë në Han të Elezit" dhe "Planit Zhvillimor Komunal", të dyja këto dokumente të hartuara më parë me mbështetje të MuSPP-it. Ky projekt gjithashtu e plotëson Studimin e lartpërmendur për Ujë duke ndërmarrë veprime drejt përmirësimit të gjendjes së furnizimit me ujë në vendbanimet që gjenden jashtë qendrës urbane.   

Përveç përfaqësuesve nga Komuna dhe MuSPP-i gjatë përurimit ishin prezent edhe komuniteti i fshatrave, nxënësit dhe stafi i shkollave dhe përfaqësuesi i kompanisë ndërtimore. Z. Rufki Suma, Kryetar i Hanit të Elezit, iu shkoqiti shkurtimisht të pranishmëve bashkëpunimin e vlerësuar pozitivisht në mes të Komunës dhe MuSPP-it përmes proceseve dhe punëve të përbashkëta në projekte të ndryshme planifikuese dhe të investimit kapital. Ai vazhdoi më tutje duke vlerësuar lartë hapësirat e rregulluara që komuniteti i përfitoi dhe gjithashtu duke theksuar kujdesin që atyre iu nevojitet nga të gjithë përfituesit, duke përfshirë qytetarë dhe vet komunën. Në fund ai i shprehu mirënjohje MuSPP-it për mbështetjen e dhënë Komunës gjatë tërë kohës dhe veçanërisht për këtë projekt. Znj. Gwendoline Mennetrier, Udhëheqëse e MuSPP-it të UN Habitat-it, përgëzoi të gjithë të pranishmit për projektin e përfunduar dhe për hapësirat e rregulluara për ta. Ajo vuri në pah faktin se si projekti u zbatua duke i mbështetur objektivat e PZHK-së në ofrimin e më shumë mundësive për furnizim me ujë për të dy fshatrat, krijimin e lidhjeve më të mira të lëvizshmërisë dhe qasje më të mirë në pjesë të ndryshme të fshatrave si dhe krijimin e hapësirave sociale të rëndësishme për qytetarët. Në fund ajo e shprehu kënaqësinë e të bashkëpunuarit me Komunën si dhe ri përsëriti rëndësinë e mirëmbajtjes së projektit.

Gjatë ecjes nëpër lokacionin e projektit komuniteti ndau përvojën e tyre të re në shfrytëzimin hapësirave publike të rregulluara së fundmi duke përmendur pasditen si kohën më të përshtatshme për shfrytëzimin e tyre për takime dhe shoqërime, si dhe shfrytëzimin e qasjeve rrugore të reja për lëvizje më të lehtë dhe më të sigurtë. Gjatë bisedës u bë e qartë se furnizimi me ujë të pijshëm brenda hapësirave të rregulluara publike është si një strumbullar për të gjitha funksionet mbështetëse të përmendura më lart. Projekti gjithashtu e çmua lartë nga komuniteti gjatë anketimit se sa janë të kënaqur ata, i cili u organizua nga Komuna dhe MuSPP-i. 

Projekti i Investimit Kapital u zbatua në dy fshatrat më të mëdha që shtrihen në dy anë të ndryshme të Komunës së Hanit të Elezit. Në të dyja rastet u krijua nga një pikë fokale hapësinore me gjelbërim dhe vende për ulje dhe shoqërim, si dhe mbi të gjitha duke ofruar furnizim me ujë përmes krojeve. Projekti gjithashtu ka përmirësuar edhe lidhjet e përgjithshme të lëvizshmërisë (me theks të veçantë lëvizjen e këmbësorëve) duke rregulluar rrugën unazore në Gorancë dhe qasjen rrugore drejt hapësirave të rregulluara në Paldenicë. Mobilieria urbane ishte gjithashtu një element i rëndësishëm i projektit.

Iniciativa në fjalë është bashkë-financuar nga Komuna e Hanit të Elezit dhe MuSPP-i i cili implementohet nga UN Habitat-i dhe mbështetet financiarisht nga Swedish Development Cooperation. 

 

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje