Lajme dhe Ngjarje

Moduli i Trajnimit për hartimin e PZHK-ve shënon përfundimin e sesioneve të Trajnimit të Trajnuesve në kuadër të shpalosjes së "Përmbledhjes së Udhëzuesve Praktik të MuSPP-it”

Programi i Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP) ka përfunduar me sukses sesionet e Trajnimit të Trajnuesve (ToT), si fazë e parë trajnimeve në kuadër të shpalosjes së "Përmbledhjes së Udhëzuesve Praktik të MuSPP-it drejt vetëqëndrueshmërisë". Moduli i fundit i është kushtuar Hartimit të Planeve Zhvillimore Komunale, që lidhë dhe konsolidon elementet e nisura në modulet e tjera të ndërlidhura. Moduli i Trajnimit për hartimin e Planeve Zhvillimore Komunale u mbajt në Durrës, në dy blloqe me 11-14 maj dhe 25-28 maj.

Qëllimi kryesor i këtij moduli të trajnimit ishte ngritja e kapaciteteve të strukturuara profesionale që do të mbështesin proceset e planifikimit hapësinor komunal përmes trajnimeve dhe mënyrave të tjera të bartjes së njohurive për grupet e synuara brenda komunave të Kosovës. Në këtë frymë, trajnimi u fokusua në zhvillimin e kapaciteteve në menaxhimin e zhvillimit komunal përmes procesit të Planit Zhvillimor Komunal me qëllim të identifikimit të pjesëmarrësve dhe krijimit të mundësive për t'u bërë trajnerë të ardhshëm.

Moduli i trajnimit u prezentoi pjesëmarrësve aspekte të ndryshme në lidhje me qasjen, sistemin, procedurat dhe aranzhimet organizative në planifikim. Korniza strategjike e planifikimit hapësinor në Kosovë është prezantuar përmes të gjitha fazave, duke ofruar po ashtu mundësi për pjesëmarrje aktive nëpërmjet diskutimeve dhe ushtrime praktike, gjatë të cilave pjesëmarrësit nga niveli lokal dhe qendror prezentuan qëndrime dhe qasje të ndryshme, si dhe shkëmbyen përvojat përkatëse. Një pjesë e rëndësishme e trajnimit u bazua në ofrimin e mjeteve përkatëse të planifikimit dhe shembujve të frymëzuar nga qasja dhe përvoja e MuSPP-it.

Me qëllim të arritjes së objektivave të tij, moduli i trajnimit u përmbyll me një ushtrim simulues gjatë të cilit pjesëmarrësit demonstruan njohuritë dhe aftësitë e tyre të fituara përmes simulimit të trajnimit tek kolegët pjesëmarrës.

Zyrtarët që morën pjesë në këtë modul trajnimi ishin kryesisht nga institucionet partnere të MuSPP-it në nivel qendror dhe lokal - Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor-Departamenti i Planifikimit Hapësinor, Ndërtimit dhe Banimit (DPNB); komunat e Ferizajit, Gjilanit, Graçanicës, Malishevës, Prizrenit, Pejës, Rahovecit dhe Mitrovicës së Veriut.

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje