Lajme dhe Ngjarje

Zemra historike e Prizrenit e begatuar me Sheshin krejtësisht të ri të Lidhjes së Prizrenit

Më 5 nëntor të vitit 2015 në Prizren, nga kryetari i Prizrenit Z. Ramadan Muja dhe Udhëheqësja e UN-Habitat-it në Kosovë Znj. Gwendoline Mennetrier u përurua Projekti i Investimeve Kapitale "Rivitalizimi i Sheshit të Lidhjes së Prizrenit", një investim i përbashkët i Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe i Programit për Mbështetje të Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP) i implementuar nga UN-Habitat dhe financuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim.   

Në ceremoninë inauguruese të pranishëm ishin autoritetet komunale, partnerët ndërkombëtar dhe OJQ-të lokale.

" Me realizimin e këtij projekti kapital ne pretenduam të begatojmë qytetin e Prizrenit edhe me një hapësirë të rëndësisë së veçantë për të gjithë qytetarët e Prizrenit, përkatësisht Shatërvanin e vjetër me një Shatërvan të ri shumë funksional. Ne falenderojmë UN-Habitat-in për mbështetjen e dhënë jo vetëm për këtë projekt por edhe për projektin e kaluar " Rivitalizimi i Rrugës së Farkatarëve, të dy projektet krijuan hapësira publike të mrekullueshme dhe kualitative që për një kohë të gjatë do t'u shërbejnë qytetarëve. Ne gjithashtu falenderojmë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) që gjithmonë na ka mbështetur financiarisht për projektet e kësaj natyre", tha kryetari i Prizrenit Z. Ramadan Muja.     

Znj. Gwendoline Mennetrier përgëzoi komunën, stafin e saj, Partnerët e saj, përfshirë edhe atë më të rëndësishmin MMPH-në, dhe komunitetet për punën e bërë në mbështetje të rivitalizimit të Sheshit të Lidhjes së Prizrenit, tani një hapësirë krejtësisht e re publike. Në UN-Habitat, ajo tha, mendojmë që hapësira publike mirë e dizajnuar dhe menaxhuar është thelbësore dhe aset kyç për funksionimin dhe prosperitetin e qytetit dhe ka ndikim pozitiv në ekonominë, mjedisin, sigurinë, shëndetësinë, integrimin dhe ndërlidhjen e tij. Kualiteti i jetesës për njerëzit në qytete është me të vërtetë drejtëpërdrejtë i lidhur me gjendjen e hapësirave publike në qytete. Ajo përkujton që procesi i zhvillimit të këtij Projekti të Investimeve Kapitale ishte gjithashtu rezultat i partneritetit të ngushtë, si atij teknik por edhe financiar, ndërmjet Komunës së Prizrenit, MMPH-së dhe MuSPP-it, dhe përfshirjes të një game të gjerë të palëve të interesit në zhvillimin e skenareve dhe dizajnit për këtë zonë.

Projekti i investimeve kapitale "Sheshi i Lidhjes së Prizrenit" u identifikua brenda aktivitetit të Auditimit të Zonës i realizuar në vitin 2009 nga Komuna, MuSPP bashkë me palët lokale të interesit, shetitja transakcionale në katër drejtime brenda zonës historike të Prizrenit bëri që sëbashku të identifikojnë zonat që do të kenë nevojë për përmirësim apo revitalizim.

I tërë cikli i procesit është zhvilluar nëpërmjet aplikimit të teknikave të planifikimit me pjesëmarrje dhe standardeve të dizajnit inovativ dhe është respektuar me kujdes udhëzimi i dhënë nga Plani Zhvillimor Komunal, Plani i Konzervimit si dhe Udhëzuesi për Zhvillim në Zonën Historike të Prizrenit.   

Duke qenë në zemrën e qytetit projekti arrin të ofroj hapësirë të këndshme dhe të qasshme për të gjithë, ndërlidhje të sigurtë me pjesët tjera të zonës historike të Prizrenit por për më tepër të krijoj një mjedis të favorshëm për përdorues dhe biznese.  

 

 

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje