Lajme dhe Ngjarje

Mbahet trajnimi për GIS për ekipet e planifikimit komunal në veri të Kosovës

Në fund të muajit maj 2017, UN-Habitat ka mbajtur një trajnim njëditor për Sistemin e Informacionit Gjeografik (GIS) në partneritet me Institutin për Planifikim Hapësinor në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH). Trajnimi hyrës për WebGIS (gjeo-portal) dhe QGIS u mbajt më 30 maj nga një ekspert i GIS nga MMPH. Trajnimi u realizua në kuadër të Programit për zhvillim gjithëpërfshirës, një program katërvjeçar i cili zbatohet bashkërisht nga UN-Habitat, PAX dhe Community Building Mitrovica (CBM).

Pjesëmarrësit në këtë trajnimi ishin stafi i nivelit qendror dhe atij komunal nga katër komunat me shumicë serbe të Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Mitrovicës Veriore. Të gjithë pjesëmarrësit në trajnim kishin kualifikime të ndryshme arsimore dhe nivele të ndryshme të përvojës në punë. Gjatë trajnimit për GIS, stafi komunal dhe zyrtarët e përzgjedhur të MMPH-së me bazë në veri kishin mundësinë të njiheshin me softuerin dhe ta zbatonin atë në praktikë në komunat e tyre përkatëse. Pas përfundimit të trajnimit, disa nga pjesëmarrësit u shprehën se dëshirojnë të vazhdojnë të zhvillojnë aftësitë e tyre në përdorimin e mjeteve dixhitale të hartëzimit.

Trajnimi për GIS është hapi i parë i Dokumentimit dhe Vlerësimit të Shpejtë të Gjendjes Hapësinore dhe Sektoriale. Hapi tjetër është një seri e punëtorive të dokumentimit hartografik, ku pjesëmarrësit do të krijojnë regjistrat e objekteve dhe rrjeteve në komunat e tyre përkatëse. Qëllimi i këtyre aktiviteteve është krijimi i një katalogu për ndërhyrjet e planifikimit hapësinor dhe sektorial në të ardhmen, i cili do të krijojë bazat për hartimin e Planeve Zhvillimore Komunale.

Programi Nxitja e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe qeverisja e mirë në veri të Kosovës financohet nga Agjencia Suedeze për  Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA). Qëllimi i programit është ngritja e kapaciteteve të planifikimit komunal në komunat në veri të Kosovës dhe promovimi i parimeve të qeverisjes së mirë, si transparenca dhe llogaridhënia, në administratat përkatëse të qeverisjes lokale. Përveç kësaj, iniciativa përpiqet të forcojë kontratën shoqërore nëpërmjet mobilizimit të shoqërisë civile dhe dialogut publik dhe të mbështesë përmirësimet në ofrimin e shërbimeve publike përmes komunikimit dhe koordinimit të zgjeruar  qendër-komunë dhe ndërmjet komunave.

Për të rejat e projektit në media sociale, ju lutem vizitoni faqen në Facebook të Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës.

 

 

 

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje