Lajme dhe Ngjarje

Punëtoria e para-vizionimit e Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës

Më 30 qershor 2017, u mbajt një punëtori e para-vizionimit për të gjithë Partnerët e Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës. Qëllimi i punëtorisë ishte të shkëmbehen përvojat mbi mjetin dhe metodologjinë e vizionimit, përpara zbatimit të kësaj metode në të ardhmen në shtatë komunat partnere: Leposaviq, Mitrovicën Jugore, Mitrovicën Veriore, Zubin Potok, Zveçan, Skenderaj dhe Vushtrri.

UN-Habitat e organizoi punëtorinë në hotel Emerald në Prishtinë në partneritet me PAX dhe Community Building Mitrovica (CBM). Ambasada e Suedisë në Kosovë, përfaqësuesit e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), organizatat e shoqërisë civile dhe të gjitha komunat partnere morën pjesë në këtë punëtori.

Përfaqësuesja e ambasadës së Suedisë në Kosovë, Maja Edfast, dhe krye-këshilltarja teknike pran UN-Habitat-it në Kosovë, Gwendoline Mennetrier mbajtën nga një fjalim hyrës. Fjalimet hyrëse u pasuan me një prezantim nga Luan Nushi, Drejtor i Institutit të Planifikimit Hapësinor në MMPH, rreth memories institucionale nga pikëpamja qendrore se si e ka lehtësuar mjeti i vizionimit planifikimin gjithëpërfshirës në komunat partnere të UN-Habitatit në Kosovë. Ai gjithashtu adresoi nevojën për përpjekje të mëtejshme në forcimin e pjesëmarrjes publike dhe fuqizimin e komunitetit.

Më pas, pati disa prezantime nga anëtarët e ekipit të UN-Habitat-it, me ç’rast adresuan vizionimin si një metodologji dhe mjet, duke e lidhur atë me qëllimet e programit për zhvillim gjithëpërfshirës dhe duke ilustruar se si është lehtësuar nëpërmjet vizionimit fuqizimi përmes pjesëmarrjes dhe trajnimit. Prezantuesit gjithashtu theksuan cilësitë e vizionimit si një mjet qenësisht pjesëmarrës, i ndjeshëm ndaj çështjeve gjinore dhe fleksibël, i cili mund të përshtatet për audienca të ndryshme dhe qëllime të ndryshme të planifikimit.

Për më tepër, pati edhe prezantime nga përfaqësuesit e komunave të Pejës dhe Graçanicës, ku shpalosen përvojën e tyre në zbatimin e metodologjisë së vizionimit. Të dy përfaqësuesit shpjeguan se si mjeti i vizionimit lejon përfitimin dhe integrimin e njohurive lokale në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes. Ata gjithashtu theksuan se si pjesëmarrja e qytetarëve ka dhënë rezultate të favorshme në komunat e tyre përkatëse në procesin e planifikimit dhe se si vizionimi, në këtë kuptim, ka potencial të jetë nxitës i zhvillimit të komunitetit.

 

Pas prezantimit përfundimtar, pjesëmarrësit u ndanë në pesë grupe pune për të realizuar një ushtrim të vizionimit. Aktiviteti konsistoi në planifikimin e një shtegu biçikletash në një komunitet dhe deri në fund të ditës të gjitha grupet prezantuan propozimet e tyre përkatëse. Ky ushtrim dhe prezantimet e mësipërme kanë synuar aftësimin e pjesëmarrësve në zbatimin e kësaj metodologjie në komunitetet e tyre përkatëse në një fazë të mëvonshme.

Punëtoria e para-vizionimit është pjesë e fazës fillestare të Programit për zhvillim gjithëpërfshirës , një iniciativë bashkërisht e implementuar nga UN-Habitat-i, PAX-i dhe CBM. Programi financohet nga Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunimit, Sida, ku si qëllim ka nxitjen e qeverisjes së mirë në veriun e Kosovës.

Vizionimi si metodologji

Në fillim të vitit 2007, UN-Habitat-i në Kosovë prezantoi vizionimin si metodë dhe mjet përmes Programit të saj të mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP), i financuar nga Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida). Vizionimi është një proces me të cilin një komunitet parashikon të ardhmen që dëshiron dhe si ta arrijë këtë vizion të përbashkët. Metodologjia i bën bashkë njerëzit me qëllim zhvillimin e një imazhi të përbashkët se si ata do të donin që komuniteti i tyre të jetë në të ardhmen. Kjo bëhet përmes aktiviteteve të ndryshme; siç janë krijimi i hartave të memories ku pjesëmarrësit nxjerrin në pah vende me vlerë të veçantë për ta dhe ushtrime të përbashkëta për të përshkruar udhërrëfyesin për të ardhmen. Vizionimi kryesisht bëhet me një qasje me pjesemarrje dhe qëllimi i saj është të përmirësojë praktikat e qeverisjes së mirë dhe të promovojë aspekte të tilla si planifikimi i ndjeshëm dhe i përgjegjshëm gjinor .

Për të rejat e projektit në media sociale, ju lutem vizitoni faqen e Programit për zhvillim gjithëpërfshirës në Facebook .

 

 


Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje