Qendra Mediale

Dita Botërore e Habitatit në Kosovë i vë në spikamë ndryshimet klimatike

Çdo vit në Ditën Botërore të Habitatit, të hënën e parë të muajit tetor, UN-HABITAT-i bën organizime të ndryshme bashkë me kolegët dhe partnerët tjerë. Këtë vit, kjo ditë u shënua me një Tryezë të rrumbullakët me institucionet qeveritare qendrore dhe lokale të Kosovës, me qëllim që bashkë me udhëheqësit, ekspertët dhe profesionistët përkatës të diskutohej tema “Qytetet dhe ndryshimet klimatike”.Me praninë e tyre këtë Tryezë të rrumbullakët e nderuan Zëvendës-kryeministri/Ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic; Zëvendës-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Shpëtim Rudi; Drejtoresha e Sida-s në Kosovë, Maria Melbing, Drejtoresha e UN-HABITAT-Kosovo, Krystyna Galezia; përfaqësuesit e komunave të Kosovës dhe ministrive përkatëse, ekspertë dhe profesionistë, si dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile. Gjatë fjalimeve të tyre me këtë rast, përfaqësuesit e sipërpërmendur paraqitën fakte dhe të dhëna për gjendjen e tanishme lidhur me ndryshimet klimatike duke i theksuar qytetet si kontribuuesit më të mëdhenj në këtë fenomen.
Nikoqiri i kësaj Tryeze të rrumbullakët, Drejtoresha e Programit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal nga UN-HABITAT-i, Zj. Krystyna Galeiza, mes tjerash e theksoi punën që është duke e bërë MuSPP në mbështetje të komunave kosovare për t’u ballafaquar me çështjet mjedisore të ndërlidhura me urbanizimin dhe për zvogëlimin e ndikimit ekologjik të tij me anë të dokumenteve strategjike të tyre.
Ashtu siç ishte paralajmëruar në ftesë, tryeza e rrumbullakët u fokusua edhe në mësimet e mësuara gjatë vizitës studimore në Suedi, e cila ishte organizuar në shtator me përfaqësuesit e MuSPP dhe me komunat partnere. Qëllimi i vizitës studimore ishte prezantimi i përvojave suedeze në ballafaqimin me sfidat e reja dhe lidhja e planifikimit hapësinor dhe atij urban për zvogëlimin e ndryshimeve klimatike dhe për mbrojtjen e mjedisit. Mënyra se si i rregullojnë komunat suedeze çështjet e menaxhimit të mbeturinave, efiqiencës energjetike, transportit dhe aspekteve tjera të urbanizmit, u shtjellua sot nga përfaqësuesi i MuSPP, z. Hasse Ericsson. Siç u tha nga pjesëmarrësit, vizita në Suedi ishte një mundësi për ta parë një prej shembujve më të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm në Evropë. 
Tryeza e rrumbullakët u përmbyll nga Sekretari Permanent i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Arben Citaku, i cili i bëri thirrje të gjitha komunave kosovare që t’i hartojnë planet zhvillimore strategjike të tyre dhe t’i marrin parasysh çështjet mjedisore duke i përfshirë masat për efiqiencë energjetike gjatë dizajnimit dhe ndërtimit.

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale