Lajme dhe Ngjarje

Lamtumirë MuSPP1, Mirë se vjen MuSPP2

Më 2 Qershor në hotelin Grand u mbajt takimi i katërt dhe i fundit i Grupit për Shqyrtimin Trepalësh (TPR). Takimet e TPR-së i bashkojnë sponzoruesin e programit (Sida), zbatuesin e programit (UN-HABITAT) dhe homologët e tij (komunat përfituese dhe institucionet qendrore, duke përfshirë këtu edhe Asociacionin e Komunave të Kosovës -AKK). Qëllimi i këtyre takimeve është monitorimi dhe vlerësimi i të arriturave dhe metodave të punës së Programit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor në Komuna (MuSPP). 

Më 2 Qershor u prezantuan dhe u diskutuan “Pikat më kryesore të MuSPP1 2006-2008”, duke përfshirë edhe disa vështirësi që ishin hasur në fazën e parë. Për shqyrtimin e këtyre të arriturave dhe vështirësive ishin zhvilluar edhe diskutime të tjera më herët gjatë takimit të Selanikut me kryetarët  e komunave që janë përfituese nga MuSPP-ja dhe me ministritë e nivelit qendror (Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor-MMPH dhe Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal-MAPL), mbajtur prej 26 deri më 29 Maj.   

Kryetarët e pranuan se kapacitetet planifikuese të komunave janë ende shumë të dobëta për t’u marrë me sfidat e mëdha të urbanizmit dhe zhvillimit të shpejtë dhe të pakontrolluar. Por ata shprehën zotimin e tyre të fuqishëm për angazhimin e tyre të drejtpërdrejt personal në procesin e planifikimeve komunale. Për të ndihmuar në këtë, kryetarët e komunave kërkuan më shumë bashkëpunim në mes tyre dhe MuSPP2, përmes ofrimit të këshillave strategjike për menaxhimin urban, përfshirë edhe planifikimin shumë-sektoral dhe menaxhimin e projekteve.

Një temë tjetër që u diskutua në takimin e Selanikut ishte edhe nevoja për riorganizimin dhe ringjalljen e strukturave dhe organeve ekzistuese për planifikim nëpër komuna, në mënyrë që më vonë këto t’u përgjigjen më mirë sfidave në zhvillimin urban dhe rural. Këshilla e MuSPP-it për forcimin e rolit të ekipit komunal të planifikimit, i cili përbëhet nga shumë drejtori, njësisë së planifikimit, këshillit të ekspertëve planifikues dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme, për njohjen e këshillit joformal të organizatave të shoqërisë civile, u mirëprit nga të gjithë kryetarët e komunave dhe ministrat ose të deleguarit e tyre që morën pjesë në takim. Po ashtu u shpreh mbështetje e fuqishme edhe për mundësinë dhe nevojën për bashkëpunimin ndërkomunal, rajonal dhe ndërkufitar. Të gjitha këto elemente u pasqyruan në Dokumentin e programit për MuSPP2, ashtu siç u prezantuan në Selanik dhe u konfirmuan sërish në TPR-in e mbajtur në Hotelin Grand.

Dita e 2 Qershorit shënoi përfundimin zyrtar të MuSPP1 dhe tranzicionin e lehtë në MuSPP2, i cili do të zhvillohet deri në vitin 2011. Faza e tranzicionit do të përfundojë me nënshkrimin përfundimtar të Memorandumeve të Mirëkuptimit (MM) ndërmjet UN-HABITAT-it dhe komunave përfituese. Këto memorandume të mirëkuptimit do të përbëhen nga një pjesë e përgjithshme, e cila vlen për të gjithë partnerët, dhe një pjesë specifike më udhëzime konkrete për secilën komunë. MM-të kanë për qëllim që të qartësojnë rolet dhe përgjegjësitë e partnerëve në mënyrë që të arrihet një bashkëpunim sa më i mirë dhe më efikas.  Një element shumë i rëndësishëm dhe qenësor në MuSPP2 është zhvillimi i një “strategjie dalëse”, e cila do të sigurojë që në fund të programit të bëhet një tranzicion i lehtë i roleve dhe aktiviteteve kryesore të MuSPP-it tek institucionet dhe organizatat kosovare. Për ketë qëllim duhet të intensifikohet dialogu dhe bashkëpunimi me institucionet e nivelit qendror, si me MMPH-në, MAPL-në dhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK). Një ndër zotimet e bëra në Selanik është që t’i ofrohen këshilla dhe ndihmë Kolegjiumit për Planifikim Hapësinor në AKK, i cili përfshinë shumicën e komunave të Kosovës. Një sfidë tjetër është edhe sigurimi që Departamenti dhe Instituti i Planifikimit Hapësinor të luajnë rol më vendimtar dhe më të qartë në strategjinë dalëse.

Dhe në fund, por jo më pak e rëndësishme: siç ishte rasti me MuSPP1, edhe suksesi i MuSPP2 do të varet në masë të madhe nga angazhimi dhe përkushtimi i shoqërisë civile dhe organizatave të bazuara në komunitet (OBK) në komunat përfituese, gjatë gjithë procesit të planifikimit, duke filluar nga përcaktimi i vizioneve afatgjate deri te projektet dhe veprimet konkrete. Shpresojmë se këto organizata do të luajnë një rol më të madh në MuSPP 2

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje