Lajme dhe Ngjarje

MuSPP-i sjellë përvojat me ligjeratë dhe me konferencë për planifikimin pjesëmarrës

 “Vizionimi si mjet i planifikimit pjesëmarrës” ishte tema e konferencës së organizuar nga Programi i Planifikimit Hapësinor Komunal i UN-HABITAT-it, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të partnerëve tjerë të involvuar në proceset e vizionimit në komunat e MuSPP-it, si fondacioni Friedrich Ebert (FES) dhe Trashëgimia Kulturore pa Kufi (CHwB). Gjatë katër viteve të fundit, u organizuan nëntë  punëtori të vizionimit si aktivitete të planifikimit pjesëmarrës me pjesëmarrje aktive të zyrtarëve qeveritarë dhe të organizatave të shoqërisë civile, Kjo konferencë i mblodhi rreth 150 profesionistë të planifikimit nga mbarë Kosova, të cilët i sollën eksperiencat e tyre dhe diskutuan për planifikimin pjesëmarrës dhe strategjik në Kosovë, si dhe jashtë saj. Pjesëmarrësit e patën rastin të mësojnë nga prezentimet e tre ekspertëve planifikimit nga Suedia, Turqia dhe Shqipëria.

I përbërë nga katër sesione, konferenca ishte një mundësi e mirë e shkëmbimit të eksperiencave ndërmjet ekspertëve të planifkimit në Kosovë.

Konferenca filloi me fjalët hyrëse të Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i cili theksoi se “rezultatet e ngritjes së kapacaiteteve si në nivelin lokal dhe në atë qendror në mbështetje të UN-HABITAT-it kanë filluar të jenë të dukshme, ku e kemi draftin e PZHK-së së Junikut hartuar nga kapacitetet e brendshme komunale, ku me metodë të njejtë janë duke u hartuar edhe planet e Hanit të Elezit dhe Mamushës”. Udhëheqësja e zyres së UN-HABITAT-it në Kosovë, znj.Krystyna Galezia, në fjalën e saj hyrëse e theksoi rolin e UN-HABITAT-it dhe bashkëpunimin me komunat për promovimin e qasjes në planifikimin pjesëmarrës dhe metodat strategjike të planifikimit.

Konferenca u nderua me prezencën e  Z. Steve Johnson, Udhëheqës i Departamentit për Planifikim dhe Zhvillim të Qëndrueshëm të Komuniteteve nga Komuna e Borlanges  në Suedi; Z. Flamur Kuçi, këshilltar i krye-ministrit të Shqipërisë, i cili e solli eksperiencën nga Shqipëria si dhe Znj. Nuran Zelen Gulersoy, ligjëruese në Universitetin Teknik të Stambollit e cila e solli eksperiencën turke për planifikimin pjesëmarrës duke dhënë shembuj konkretë nga tri qytete në Turqi. Eksperiencat e suksesshme nga komunat e MuSPP-it nga Juniku, Hani i Elezit dhe Mitrovica u prezentuan nga zyrtarët komunalë, Znj. FerdoneTofaj, Z. Durim Dernjani si dhe Znj. Shyhrete Peci.   

Poashtu në këtë konferencë prezentuan edhe Znj.Suzana Goranci, Udhëheqëse e Sektorit për Planifikim Komunal pranë Departamentit të Planifikimit Hapësinor në MMPH, Z. Ilir Gjinolli, profesor në Departamentin e Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, Z. Luan Shllaku, Drejtor i KFOS-it, si dhe Znj. Elvida Pallaska nga Instituti i Planifikimit Hapësinor.   

Pjesëmarrësit në këtë takim kontribuan duke ngritur dhe diskutuar për çështje të shumta përmes shkëmbimit të eksperiencave dhe reflektimeve profesionale. Planerët theksuan se pjesëmarrja e vendim-marrësve në proceset e planifikimit theksohet të jetë një çështje mjaft e rëndësishme, ngase në shumë raste vendimet e marra nga politikanët nuk janë në përputhje me vizionin e qytetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe akterëve tjerë.

Gjatë dialogut të zhvilluar, ishte mëse e qarte se kuptimi dhe pjesëmarrja në procesin e planifikimit është relativisht i dobët, por kjo gjë edhe është pritur duke konsideruar se Kosova ndodhet në fazë tranzitore. Me notë pozitive, suksesi brenda komunave të Kosovës që është parë deri më tani përmes qasjes pjesëmarrëse sugjeron që përmirësimi do të vazhdojë dhe do të ngritet edhe më tej në të ardhmen.

Para konferencës, me 8 Nëntor, MuSPP-i dhe partnerët e tij e organzuan ligjeratën publike “Zhvillimi i Qëndrueshëm Urban dhe Rural” në  Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Ligjerata u hap nga Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe nga Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ulëset në amfiteatrin e bibliotekës u mbushën me studentë dhe planerë si dhe me përfaqësues tjerë që mirren me çështje të planifikimit nga komunat e Kosovës.

Në ligjeratë prezentuan ekspertët ndërkombëtar të planifikimit, që u përcoll me diskutim aktiv nga pjesëmarrësit dhe pyetjet e shumta për ligjëruesit, që prezentuan nga tri kënde të ndryshme duke u bazuar në eksperiencat e tyre, nga tri vende të ndryshme.  

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje