Lajme dhe Ngjarje

7 tetor, Seminari për Ditën Botërore të Habitatit

Të hënën më 7 tetor, Programi i UN -HABITAT-it për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal në Kosovë, së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, i bashkuan forcat për ta festuar Ditën Botërore të Habitatit 2013 dhe e organizuan një seminar me temë Qytetet e Kosovës në Tranzicion: drejt brezit të dytë të planeve komunale. Ky seminar kishte për qëllim diskutimin e vlerësimit, zbatimit dhe monitorimit të përgjithshëm të arritjeve të procesit të planifikimit komunal në Kosovë në perspektivën e zbatimit të Ligjit të ri për Planifikimin Hapësinor, i cili ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2013. Gjatë seminarit dhe debatit për Pas-PZHK-ve (Plani Zhvillimor Komunal) dhe për brezin e ri të Planeve për komunat e Kosovës u propozua gjithashtu shkëmbimi i përvojave nga rajoni.
Publiku ishte i përbërë nga zyrtarë dhe profesionistë nga niveli qendror dhe lokal, planerë, përfaqësues nga universitet, nga shoqëria civile dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm. Takimin e nderuan me praninë e tyre Zëvendës Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, z. Shpëtim Rudi, Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Besnik Osmani, përfaqësuesja e Bashkëpunimit Suedez për Zhvillim në Kosovë, znj. Maria Melbing, dhe Krye-këshilltarja teknike e Programit të UN-HABITAT-it për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal, znj Gwendoline Mennetrier.
Fjalimet e hapjes sollën një pasqyrë të përgjithshme mbi situatën aktuale të urbanizimit në nivel të Kosovës dhe atë global. Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor foli për kërkesën që paraqitet nga dyndja drejt qyteteve dhe për mungesën e planifikimit urban për t'ju përgjigjur këtyre fenomeneve. Sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal e ngriti çështjen e përfshirjes më të fuqishme të gjitha palëve të interesuara, duke pasur parasysh se planet duhet t'i përgjigjen nevojave dhe kërkesave të qytetarëve, ku qëllimi i tyre përfundimtar është përmirësimi i cilësisë së jetesës dhe të shërbimeve për qytetarët. Znj Melbing, përfaqësuese e Bashkëpunimit Suedez për Zhvillim në Kosovë, e trajtoi pasqyrën globale të popullsisë në rritje nëpër qytete dhe kërkesën e ndërlidhur me këtë për rritjen e shërbimeve urbane. Gjithashtu u theksua roli i planifikimit urban për t'i përmbushur nevojat e ndryshme të shoqërisë për të mirën e gjeneratave të ardhshme. Krye-këshilltarja Teknike e Zyrës së UN-Habitatit në Kosovë, znj Mennetrier, ia përkujtoi audiencës profesionale që në brezin e ri të planeve të cilat janë duke u hartuar tani t'i marrin parasysh çështjet e rëndësishme si në aspektin e procesit demokratik, përfshirjen e organizatave të shoqërisë civile dhe të gjitha palët e interesuara. Vëmendja duhet të jetë në një vizion të përbashkët për qytetin (duke e lidhur zhvillimin social, produktivitetin ekonomik dhe mbrojtjen e mjedisit) dhe mbi planet e veprimit nga shumë aktorë për ta shndërruar këtë vizion në realitet me anë të adresimit të çështjeve me prioritet. Për sa i përket zbatimit, autoritetet lokale duhet të jenë drejtuesit si dhe niveli i qeverisjes sa më afër qytetarëve. Planifikimi dhe menaxhimi urban duhet të integrohen ngushtë mes vete.
Seminari vazhdoi me prezantimin nga ana e Drejtorit të Departamentit të Planifikimit Hapësinor në kuadër të MMPH-së, z. Agim Radoniqi , i cili e paraqiti vlerësimin e brezit së parë të planeve. Drejtori i Institutit për Planifikim Hapësinor, z. Luan Nushi, e ngriti çështjen e planifikimit si një prioritet për zhvillimin. Krahas përvojave të vendit, gjatë seminarit u prezantuan edhe përvojat ndërkombëtare nga Rumania dhe Sllovenia si dy vende post-socialiste me një përvojë të ngjashme në planifikim. Prezantimet u bënë nga z. Gruia Badesku, Grupi për Zhvillimi Lokal (GDL), Rumani, dhe nga z. Franc J. Zakrajsek, nga Instituti i Planifikimit Urban të Republikës së Sllovenisë. Prezantimet i bënë një pasqyrë sistemeve të planifikimit në këto dy vende dhe llojin e planeve. Sistemi i planifikimit në Slloveni u prezantua shkurtimisht dhe pastaj u fol më gjerësisht për rastin e Lubjanës. Me këtë rast u theksua se vëmendje e veçantë i është kushtuar GIS-it, informatave digjitale, e- qeverisjes, si dhe sistemit të informatave për zonimin dhe planifikimin urban, si dhe integrimit të shtresave të ndryshme të dhënave në një bazë të vetme të dhënash. Po ashtu, këtu u prezantua edhe sistemi rumun i planifikimit. Nevoja për brezin e dytë të planeve hapësinore në Rumani ka dalë nga katër arsye kryesore: shtrirjes urbane, konvertimit të tokave industriale, varfërisë urbane dhe përjashtimit social. Për t'i adresuar të gjitha këto çështje vëmendje e veçantë i është dhënë monitorimit dhe vlerësimit të këtyre planeve, ndërsa procesi i vlerësimit ka rezultuar në mësimet e nxjerra si vijon: përfshirja e ekipeve prej planifikimit deri te zbatimi, aktivitetet e organizuara në bazë të nevojës e jo në bazë të inercisë/detyrave të zakonshme, rekomandimi i një ekipi të posaçëm për zbatim, rekomandimi për ekipin monitorues dhe vlerësimin e ndikimit, raportimi për komunitetin.
Komuna e Pejës është përzgjedhur nga përvojat e nivelit lokal, si komuna e parë që e ka filluar procesin e rishikimit të PZHK-së, dhe që e ka hartuar raportin e vlerësimit të zbatimit të PZHK dhe PZHU. Prezantimin për këtë e ka bërë z. Modest Gashi, planer urban nga komuna e Pejës .
Përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e shprehën mirënjohjen e tyre për Programin e UN -HABITAT-it për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal për mbështetjen që e ka dhënë për nivelin qendror dhe për komunat e Kosovës lidhur me çështjet e planifikimit hapësinor .
Seminari u mbyll me një diskutim të hapur mbi metodat e planifikimit dhe drejtimi që duhet ndjekur komunat e Kosovës në të ardhmen .
Për prezantimet e DBH ndiqni linkun:

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje