Lajme dhe Ngjarje

Festimi i një DEKADE së bashku për qytete më të mira

Ekipi i Programit për Mbështetjen e Planifikimit Hapësinor Komunal (MuSPP) dhe partnerët, festuan 'Një dekadë së bashku për qytete më të mira' më 11 Dhjetor, në Prishtinë. MuSPP implementohet nga UN-Habitat dhe financohet nga Swedish Development Cooperation.

 Evenimenti ka sjellë së bashku më shumë se 200 pjesëmarrës, të përbërë nga zyrtarët dhe profesionistët nga niveli qendror dhe lokal, përfaqësuesit e 32 komunave të Kosovës, përfshirë gjashtë kryetarë, dhe stafin komunal, praktikantët si dhe po ashtu përfaqësuesit akademik, të shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë.

 Evenimenti është nderuar me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), z. Arben Çitaku, Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), z. Besnik Osmani, udhëheqësit për Reformë të Bashkëpunimit, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Departamenti për Evropë dhe Amerikë Latine, Sida, z. Mikael Elofsson, si dhe këshilltarit ndër-regjional nga selia e UN-Habitat-it z. Paulius Kulikauskas.

 Fjalimet hyrëse theksuan kontributin dhe mbështetjen e çmuar të MuSPP-it dhënë institucioneve të Kosovës, si në nivel qendror ashtu dhe në atë  lokal, si dhe komunitetit. Sekretari i Përgjithshëm i MMPH-së, z. Arben Çitaku, falënderoi MuSPP-in për mbështetje dhe bashkëpunim në planifikimin hapësinor në dekadën e fundit, me fokus të veçantë në zbatimin e kornizës së tij ligjore dhe mbrojtjen e mjedisit. Sekretari i Përgjithshëm i MAPL-së, z. Besnik Osmani, gjithashtu theksoi rëndësinë e kontributit profesional të MuSPP-it për mbështetjen e komunave në proceset e planifikimit me theks të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve. Për më shumë, ai i adresoi çështjet lidhur me ndërtimet pa leje dhe humbjen e tokës bujqësore që ende mbetet një sfidë për të gjitha komunat në Kosovë. Duke i pasur parasysh këto sfida, ai theksoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme në vitet e ardhshme.

 Këshilltari ndër-regjional nga selia e UN-Habitat-it, z. Paulius Kulikauskas,  përshëndeti pjesëmarrësit në emër të drejtorit ekzekutiv të UN-Habitat-it, Dr. Joan Clos, dhe theksoi rëndësinë e programit të MuSPP-it për asistimin e institucioneve të Kosovës në planifikimin hapësinor, sidomos në sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të komunave. Ai gjithashtu theksoi se ky projekt është konsideruar si një projekt kyç dhe i suksesshëm, veçanërisht ndërtimi i kapaciteteve, si dhe njohuria dhe përvoja e fituar. Ai falënderoi Sidën për mbështetjen kryesore financiare dhe ekspertizën e dhënë gjë që ka mundësuar realizimin e gjithë këtij projekti. Në fund ai shtoi që përvoja e fituar nga institucionet e Kosovës mund të përcillet dhe shkëmbehet edhe me rajonin gjithashtu, duke shikuar përpara dhe në mënyrë konstruktive për zhvillim të qëndrueshëm në vazhdimësi.

 Udhëheqësi për Reformë të Bashkëpunimit, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Departamenti për Evropë dhe Amerikë Latine, Sida, z. Mikael Elofsson, theksoi që ky ka qenë një rrugëtim shumë i mirë së bashku që nga 2005, me krijimin e partneriteteve dhe miqësisë për një kauzë të përbashkët. Programi ka filluar me gjashtë komuna dhe ka evoluar me zgjerimin e mbështetjes së mëtutjeshme për komunat tjera përfshirë ato jo-shumicë (serbe dhe turke). Gjatë kësaj mbështetjeje, janë arritur rezultate impresive me vendosjen e planifikimit pjesëmarrës, hartimit të planeve me kapacitete vetanake, me projekte të investimeve kapitale të derivuara nga planet dhe të zbatuara dhe realizuara me përfshirje të njerëzve lokal si dhe po ashtu mbështetje sektoriale (mjedis, vlerësimi dhe menaxhimi i fatkeqësive natyrore, banim) të integruara në dokumentet dhe proceset e planifikimit.   

 Krye-këshilltarja teknike e zyrës së UN-Habitat-it në Kosovë, znj. Gwendoline Mennetrier, falënderoi MMPH-në dhe MAPL-në për përkushtimin dhe mbështetjen e tyre të përsosur dhe të arriturave të përbashkëta. Gjithashtu ajo theksoi mirënjohjen dhe falënderimin e sinqertë për komunat partnere të MuSPP-it, për dedikimin e tyre dhe progresin e arritur së bashku për planifikim më të mirë dhe përmirësim të jetës së qytetarëve të Kosovës. Ajo theksoi që të arriturat e një dekade së bashku janë bërë të mundshme me mbështetjen financiare të Sidës dhe kontributit të rëndësishëm të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe komunave partnere të MuSPP-it, përfshirë kontributin financiar për Projektet e Investimeve Kapitale. Ajo tha që të gjitha këto përpjekje demonstrojnë një përkushtim të fortë, dhe pronësinë kolektive të MuSPP-it dhe rezultateve të tij nga ana e partnerëve gjegjës. Përgjatë viteve, rreth 150 anëtarë të stafit të UN-Habitat-it dhe konsulentë gjithashtu i janë bashkuar dhe kanë kontribuar aventurës së MuSPP-it duke e bërë atë produktive, inovative dhe të suksesshme, shtoi ajo.

 Sesioni i hapur i diskutimit në panel është kryesuar nga znj. Eliza Hoxha nga Universiteti i Prishtinës. Anëtarët e panelit ishin: sekretarët e përgjithshëm të MMPH-së dhe MAPL-së si dhe kryetarët nga   Gjakova, Peja, Hani i Elezit dhe nënkryetari i Prishtinës, përfshirë përfaqësuesen nga Friedrich Ebert Stiftung. Diskutimi kryesor është fokusuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komunave në Kosovë, përfshirë një sërë sfidash dhe çështjesh siç është rëndësia për të pasur më shumë hapësira publike dhe vende që kanë ndërlidhshmëri në mes veti, sigurimit të infrastrukturës rrugore dhe në të njëjtën kohë mundësimit të zhvillimit socio-ekonomik. Në veçanti, përmirësimi i koordinimit institucional dhe angazhimi i shoqërisë civile në proceset vendimmarrëse janë ngritur si aspekte të rëndësishme për sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Debati po ashtu ka reflektuar mbi të arriturat dhe storiet e suksesit të MuSPP-it në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të vendbanimeve njerëzore në Kosovë.

Një sërë prezantimesh janë prezantuar gjatë seminarit nga ana e zyrtarëve të nivelit lokal dhe qendror të cilët kanë shkëmbyer përvojën e tyre mbi mbështetjen e ofruar nga MuSPP, përfshirë progresin në zhvillimin e politikave dhe planifikimit pjesëmarrës, planifikimit me kapacitete vetanake, bërjes së vendeve në mënyrë përfshirëse  si dhe po ashtu integrimit të çështjeve mjedisore dhe gjinore në ciklet e planifikimit; që të gjitha duke theksuar qasjet e ndryshme metodologjike dhe inovative dhe rezultatet konkrete si për partnerët ashtu dhe për qytetarët.

 Evenimenti është mbyllur me prezantimin e fundit rreth orientimit për të ardhmen nga MuSPP dhe lansimit të përmbledhjes së udhëzuesve të MuSPP-it, si një përmbledhje e materialeve dhe publikimeve bazuar në metodologjitë e krijuara dhe përvojës/sukseseve ndër vite brenda kontekstit të Kosovës në nivel qendror dhe lokal. Përmbledhja e udhëzuesve ka për qëllim të shërbejë si një mjet për bartjen e njohurive dhe shkëmbimit të përvojave në mes të komunave, profesionistëve përkatës dhe palëve të interesit.

Ju falënderojmë të gjithëve për këtë Dekadë së Bashku!

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje