Lajme dhe Ngjarje

Partnerët e MuSPP-së nga niveli qendror dhe lokal diskutojnë rreth të arriturave, programimit dhe sfidave në të ardhmen

Programi i Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal në Kosovë (MuSPP), i zbatuar nga UN-Habitat dhe financuar nga Bashkëpunimi Suedez për Zhvillim, organizoi një punëtori në Ohër, Maqedoni, më 19 dhe 20 mars "Së bashku bëjmë qytete më të mira": Ku jemi? Ku duam të arrijmë, dhe si?. Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi i Programit për kryetarët e sapo zgjedhur të komunave partnere të MuSPP-së, mbështetjen e tij përkatëse dhe arritjet në lidhje me të, si dhe të diskutojnë kërkesat e reja të menaxhimit të planifikimit komunal të përcaktuara nga Qeveria e Kosovës, sfidat dhe rekomandimet për programimin vjetor dhe bashkëpunimin e mëtejshëm.

Punëtoria u iniciua nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe u mundësua dhe e mbështet nga MuSPP-ja. Ngjarja u ndoq nga përfaqësues të nivelit të lartë të institucioneve të nivelit qendror, përkatësisht: Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Z. Dardan Gashi, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Z. Basri Musmurati, sekretarët e përhershëm përkatës si dhe këshilltarë politik të Ministrisë së Administratës Publike (MAP); dhe nga Kryetarët e komunave, zëvendës kryetarët e komunave dhe kryetarët e kuvendit -të komunave partnere të MuSPP.

Punëtoria u zgjerua edhe në katër komuna nga Kosova Veriore - Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviçi dhe Zubin Potoku, si hap i parë i rëndësishëm për njohjen e mëtejshme me kërkesat komunale në kuadër të fushave përkatëse të MuSPP-së si dhe për një krijim të rrjeteve dhe shkëmbim fillestar të përvojave me komunat tjera.

Punëtoria filloi me një fjalë hapëse nga znj. Gwendoline Mennetrier. Ajo theksoi se punëtoria ishte një hap i rëndësishëm në ciklin e jetës të fazës së tretë të MuSPP-së për të siguruar se përfundimi do të bëhet në mënyrë të kënaqshme dhe në përputhje me prioritetet e komunave. Ajo vuri në dukje gjithashtu se pjesëmarrja e ministrive ishte një demonstrim i angazhimit të fortë të qeverisë qendrore për të dëgjuar shqetësimet lokale, sfidat dhe përparimet në drejtim të planifikimit, programimit dhe ofrimit të shërbimit; dhe në këmbim do të ndihmonte institucionet qendrore drejt mbështetjes së saj për komunat në përputhje me rrethanat. "Punëtoria gjithashtu duhet të shërbejë si një mundësi dhe si një platformë për shkëmbimin e ideve mes institucioneve të nivelit qendror dhe lokal dhe mes institucioneve të nivelit lokal (...), MuSPP ka kënaqësinë që të luajë rolin e saj si nikoqir dhe përkrahës i dialogut", tha ajo. Në përfundim e saj, ajo shtoi se: "Është koha, që në mënyrë kolektive, të mendojmë për atë që kemi arritur deri tani dhe atë që mbetet të arrihet; gjithashtu është edhe koha që të formësojmë më tej mbështetjen që përputhet me nevojat e qyteteve dhe fshatrave tuaja në zhvillim  për të mirën e komuniteteve lokale, përmes sistemeve të integruara të planifikimit hapësinor të cilat udhëheqin investimet, sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe në të njëjtën kohë rrisin demokracinë lokale dhe përmirësojnë kushtet e jetesës. Gjithashtu, sipas saj "të gjitha komunat duhet të investojnë në proceset e planifikimit strategjik në mënyrë që të jenë më konkurruese".

Ministri i MMPH-së, Z. Dardan Gashi theksoi rëndësinë e hartimit të planeve hapësinore, si bazë për zhvillim për secilën komunë. Ai theksoi përpjekjet e vendosura nga MMPH-ja për të zhvilluar një kornizë të re ligjore në përputhje me kërkesat moderne në lidhje me ndërtimin, planifikimin hapësinor dhe trajtimin e objekteve pa leje; e cila gjithashtu përcakton më qartë detyrat dhe përgjegjësitë e nivelit qendror dhe lokal në këtë aspekt.

Zëvendësministri i MAPL-së, z. Basri Musmurati, falënderoi MuSPP-në për mbështetjen e dhënë për komunat partnere. Ai gjithashtu falënderoi kryetarët e mëparshëm për kontributin e tyre dhe ofroi mbështetjen dhe bashkëpunimin e ministrisë së tij, për kryetarët e ri të komunave, duke i inkurajuar ata për të zbatuar më tej kornizë aktuale ligjore të Kosovës dhe për të përfituar nga MuSPP në Kosovë për ta bërë këtë.

Agjenda e punëtorisë vazhdoi me prezantime, nga përfaqësuesit e UN-Habitat / MuSPP-së, mbi objektivat, të arriturat dhe sfidat e mbetura të MuSPP-së; mbi reformën ligjore për planifikimin hapësinor, mandatet lokale në lidhje me menaxhimin e mbeturinave dhe ndërtimtarisë, mbështetje nga niveli qendror dhe mekanizmat e inspektimit, nga zyrtarët e MMPH-së;  në planifikimin e korporatave - metodat e funksionimit, përgjegjësitë komunale dhe mbështetja dhe monitorimi nga niveli qendror, nga zyrtarët e MAPL-së. Gjithashtu, një sesion i është dedikuar edhe diskutimit për aspektet pozitive dhe më pak pozitive të MuSPP-së, sugjerimet për përmirësim, rekomandimet, nevojat dhe mjetet e kërkuara për të mbështetur kapacitetet e brendshme komunale përtej Programit.

Të gjithë pjesëmarrësit ranë dakord mbi nevojën për mbështetje sistematike dhe mekanizma të mbështetjes sistematike në favor të komunave, duke mundësuar dialog të vazhdueshëm si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht.

Përfaqësuesit e MMPH-së dhe MAPL-së falënderuan MuSPP-në për mbështetjen në çështjet e planifikimit hapësinor, kryetarët e komunave për përkushtimin e tyre, dhe gjithashtu përshëndetën prezencën e përfaqësuesve të katër komunave të Kosovës veriore në punëtori.

Komunat partnere falënderuan mbështetjen e MuSPP-së dhe ritheksuan rolin që ajo mund të luajë në mbështetjen e administratave lokale në procesin e zbatimit të kërkesave të reja të planifikimit hapësinor dhe të instrumenteve përkatëse dhe në lehtësimin e mekanizmave koordinuese dhe të dialogut me institucionet qendrore. 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje