Lajme dhe Ngjarje

Pilot-Plani Zhvillimor Komunal e arrin komponentin final përmes Planit të Veprimit për Malishevën

Plani i parë Zhvillimor Komunal (PZHK) i hartuar me kapacitete vetanake sipas Ligjit të ri për Planifikim Hapësinor po i afrohet përfundimit. Ky rrugëtim i PZHK-së së Malishevës, i mbështetur vazhdimisht nga MuSPP-i, ka arritur në nivelin konkret të planifikimit të veprimeve. Duke e ditur rëndësinë e Planit të Veprimit dhe me qëllimit të ofrimit të një mjedisi për mendim kreativ, Komuna e Malishevës dhe MuSPP-i organizuan së bashku Punëtorinë e Planit të Veprimit, një ngjarje treditore që u mbajt nga 13-15 prill 2016 në Prizren.

Qëllimi i punëtorisë ishte që të konkretizohet PZHK-ja deri në nivelin e veprimeve, duke e hartuar Planin e Veprimit të bazuar në komponentët e PZHK-së - Analizën e Gjendjes Ekzistuese; Vizionin, Qëllimet dhe Objektivat; Konceptin e Zhvillimit Hapësinor; dhe Prioritetet Strategjike. Gjithashtu, punëtoria kishte për qëllim që të vazhdohet me qasjen e mbështetjes në kapacitetet vetanake komunale, përkatësisht në hartimin e Planit të Veprimit përmes angazhimit të përbashkët dhe të koordinuar të drejtorive komunale dhe palëve tjera të interesit.

Procesi i hartimit të Planit të Veprimit u bë përmes punës grupore të bazuar në katër fusha të përgjithshme zhvillimore - Zhvillimi Social, Zhvillimi Ekonomik, Zhvillimi Hapësinor dhe Mjedisi, si dhe Infrastruktura. Për secilin nga problemet brenda objektivave të planifikuara u dhanë nga disa zgjidhje alternative, përderisa veprimet u hartuan nga alternativat e përzgjedhura. Për të siguruar një kornizë të plotë për zbatim, procesi i punës vazhdoi me caktimin e entiteteve përgjegjëse, kornizës kohore, burimeve dhe kostos potenciale për secilin aktivitet. Në fund të secilit sesion punues, u bë prezantimi dhe diskutimi i rezultateve nga të gjithë pjesëmarrësit.

Spektri i pjesëmarrësve përfshiu trupat legjislativ dhe ekzekutiv të komunës si dhe komunitetin e biznesit. Përgjatë punëtorisë treditore morën pjesë profesionistë komunal nga tetë departamente - Urbanizëm, Ekonomi dhe Financa, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Mbrojtje dhe Emergjencë, Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, si dhe Inspektorat. Përveç drejtorive komunale, Asambleja Komunale gjithashtu u përfaqësua nga një anëtar i saj, i cili është edhe anëtar i Komitetit për Politikë dhe Financa. Komuniteti i biznesit u përfaqësua përmes një anëtari të Shoqatës së Bizneseve.

Plani i Veprimit, si komponent final, do të prezantohet gjatë shqyrtimit publik të PZHK-së së Malishevës, përmes të cilit publiku do ta ketë mundësinë ta shohë këtë dokument strategjik që nga vizioni deri te niveli konkret i planit të veprimit, si dhe të vlerësojë ndikimin e tij në jetën e tyre të përditshme dhe në ambiciet e tyre për zhvillim.

 

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje