Lajme dhe Ngjarje

Programi për zhvillim gjithëpërfshirës: Përfundon punëtoria për dokumentim hartografik

Gjatë javës së parë të muajit qershor 2017, UN-Habitat mbajti një sërë punëtorish rreth dokumentimit hartografik për stafin e nivelit qendror dhe atij komunal nga katër komunat me shumicë serbe; Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut. Punëtoritë janë pjesë e Programit për zhvillim gjithëpërfshirës , një iniciativë që realizohet nga UN-Habitat dhe agjencitë e saj partnere, PAX dhe Community Building Mitrovica (CBM), në shtatë komuna.

Punëtoritë e dokumentimit hartografik janë mbajtur ndërmjet 1 dhe 8 qershorit. Sesionet janë pjesë e Dokumentimit dhe Vlerësimit të Shpejtë të Gjendjes Hapësinore dhe Sektoriale, një sërë aktivitetesh që do të çojnë në një katalog gjithëpërfshirës të planifikimit hapësinor dhe sektorial, i cili do të shërbejë si bazë për ndërhyrjet e planifikimit në të ardhmen në katër komunat me shumicë serbe.

Përveç stafit komunal, zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) në veri morën pjesë në të gjitha punëtoritë për dokumentim hartografik. Pjesëmarrësit kanë punuar në grupe në baza hapësinore dhe sektoriale, secilit prej grupeve u është caktuar një aspekt specifik për ushtrimin e hartëzimit, siç janë shfrytëzimi i tokës dhe resurset natyrore, infrastruktura teknike (ujërat e zeza, energjia elektrike, telekomunikacioni, etj.), transporti dhe rrjetet rrugore, qendrat e shërbimit social dhe objektet e tjera publike si shkollat, ndërtesat qeveritare dhe qendrat e kujdesit shëndetësor. Pas krijimit të një regjistri të të gjitha objekteve, rrjeteve dhe sistemeve të infrastrukturës, pjesëmarrësit vazhduan me hartëzim fizik në imazhet ortografike satelitore të printuara për secilën komunë. Ushtrimi i fundit është puna përgatitore pasuese për gjeo-referencim, të cilat do të realizohen nga ekipi i UN-Habitatit.

Aktiviteti i ardhshëm do të jetë dokumentimi fotografik i sistemeve, objekteve dhe rrjeteve të cilat janë hartëzuar gjatë punëtorive. Në gjysmën e dytë të qershorit do të mbahen seancat në terren. Pjesëmarrësit tashmë kishin marrë pjesë në një trajnim njëditor për Sistemin Informativ Gjeografik (GIS), i cili u realizua në partneritet me Institutin për Planifikim Hapësinor (pjesë e MMPH-së)

Programi Nxitja e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe qeverisja e mirë në veri të Kosovës financohet nga Agjencia Suedeze për  Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA). Qëllimi i programit është ngritja e kapaciteteve të planifikimit komunal në komunat në veri të Kosovës dhe promovimi i parimeve të qeverisjes së mirë, si transparenca dhe llogaridhënia, në administratat përkatëse të qeverisjes lokale. Po ashtu, programi përpiqet të forcojë kohezionin social, mbështesë pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile si dhe nxit përpjekjet për integrim.

Për të rejat e projektit në media sociale, ju lutem vizitoni faqen në Facebook të Programit për zhvillim gjithëpërfshirë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje