Lajme dhe Ngjarje

Punëtoria e dizajnit urban për zonat e rrezikuara nga përmbytjet në Ferizaj

Me 12 Shkurt 2010, Programi për Mbështetjen e Komunave në Planifikimin Hapësinor Komunal (MuSPP) në bashkëpunim me Komunën e Ferizajt, organizuan punëtori me qytetarë që jetojnë në zonat e rrezikuara nga vërshimet, brenda zonës rurale dhe asaj urbane. Qëllimi kryesor i kësaj punëtorie ishte që të mblidhte idetë dhe opinionet e pjesëtarëve të komuniteteve dhe të gjejë zgjidhje pragmatike për veprimet e ardhshme.

Në fjalën e hyrëse, drejtoresha komunale e Urbanizmit, Qazime Vata theksoi se kjo punëtori do të kontribuojë në pregatitjen e strategjisë për parandalimin e përmbytjeve.

Ajo e vlerësoi punën e bërë më herët, duke i përmendur rezultatet e hulumtimit dhe të studimit hidrologjik-inxhinjerik. Sipas saj ky është vetëm fillimi i përmirësimit të kësaj pjese të qytetit por gjithashtu është edhe një mundësi e mirë për komunitetin që të bëhet pjesë e procesit. Punëtoria vazhdoi me prezentime nga ana komunës dhe UN-HABITAT-it.

Qëllimi projekteve të investimeve kapitale ka të bëjë me parandalimin e përmbytjeve duke përdorur mekanizma projektues, dhe për t’u siguruar se zona në fjalë do të ketë qasje me pjesën përreth. Projekti ka për qëllim të përmirësimit vizual dhe hapësinor të zonës, duke i larguar mbeturinat dhe duke e mirëmbajtur zonën. 

Punëtoria vazhdoi në punë grupore, ku rekomnadimet e para që dolën kishin të bënin me sigurimin e një zone të përbashkët për vetura dhe këmbësorë në pjesën lindore të lumit. Rekomandim tjetër i dalë nga takimi ishte se shtrati i lumit duhet të zgjerohet për tu përshtatur me shpejtësinë dhe sasinë e ujit gjatë sezonës së përmbytjeve. Punë tjera që duhet bërë janë edhe largimi mbeturinave nga shtrati i lumit, përmirësimi i sistemit të ujërave të zeza, gjetja e vendeve të përshtatshme për linja dhe trafo të rrymës si dhe ngushtimi i rrugës në pjesën lindore të lumit me qëllim të akomodimit të teknikave të parandalimit të vërshimeve.

Projekti për reduktimin e përmbytjeve në Lumin Nerodime është projekt i përbashkët i Programit të Mbështetjes së Planifikimit Hapësinor Komunal dhe Kuvendit Komunal të Ferizajt dhe do të financohet nga të dy palët.

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje