Lajme dhe Ngjarje

Trajnim rreth Integrimit Gjinor në Planifikim Hapësinor dedikuar audiencës së zgjeruar.

Në frymën e shpalosjes së Përmbledhjes së Udhëzuesve për Qëndrueshmëri të MuSPP-it, UN Habitat-i së bashku me organizatat partnere të UN Women dhe Friedrich Ebert Stiftung (FES), si dhe Agjencinë për Barazi Gjinore (ABGJ) të Zyrës së Kryeministrit; më 4 maj 2016 në Prishtinë, organizoi trajnimin një-ditor për Integrimin Gjinor në Planifikimin Hapësinor. Trajnimi i mbajt nga zyrtarët e UN Habitat-it dhe UN Women dhe ofroi një substancë të ripërpunuar dhe të përgatitur enkas të nën-modulit të çështjeve gjinore i përfshirë më herët në modulin e trajnimit të MuSPP-it të "përfshirjes publike në planifikim hapësinor". Në një atmosferë relaksuese dhe të shkëmbimit të ideve, evenimenti mblodhi së bashku rreth 20 pjesëmarrës që përfaqësonin ABGJ-në, MMPH-në dhe komunat e Mitrovicës, Prishtinës, dhe Lipjanit.

Zyrtarja për çështje gjinore dhe shoqëri civile e UN Habitat-it, Znj. Arijeta Himaduna, hapi takimin duke theksuar rëndësinë e shumëllojshmërisë (me theks të veçantë në dallimet gjinore)  së perspektivave, ideve the prurjeve në planifikim hapësinor.  Për informacionin e të gjithë të pranishmëve ajo kaloi shkurtimisht nëpër rendin e ditës dhe ia dha fjalën për fjalimet hyrëse Znj. Leonora Selmani, përfaqësuese e ABGJ-së; Znj. Besa Luzha, përfaqësuese e  FES-it; Znj. Iliriana Perteshoni, përfaqësuese e MMPH-së dhe Znj. Flora Macula, përfaqësuese e UN Women. Të gjitha ato theksuan ndryshimin e qëndrimit të tyre gjatë punës dhe trajnimeve nëpër vite rreth rëndësisë së gjithëpërfshirjes në proceset sociale duke përfshirë edhe planifikimin hapësinor, duke bërë ilustrimin me shembuj real të opinioneve dhe pritjeve të njëanshme në shoqërinë Kosovare kur është fjala për gjinitë dhe duke nënvizuar nevojën për organizimin e trajnimeve të tilla. Doracaku "Integrimi Gjinor në Planifikim Hapësinor: Qasja Hap pas Hapi për Komunat", i hartuar nga UN Habitat-i dhe ABGJ-ja, u përmend si një dokument i rëndësishëm për tu konsultuar gjatë proceseve të ngjashme. Ato gjithashtu u pajtuan se institucionet dhe shoqëria e Kosovës duhet të ecin më tutje nga të pasurit e ligjeve dhe politikave të mira drejt themelimit të mekanizmave për përfshirjen e grave në të gjitha aktivitetet.

Znj. Flora Macula, përmes një përzierje prezantimi-diskutimi, filloi trajnimin duke ofruar informacion të përgjithshëm rreth dallimit në mes të gjinisë dhe seksit, pritjet për burra dhe gra në shoqëri të ndryshme që rezultojnë në stereotipa, paragjykime të cilat kur kombinohen me aktivitete të caktuara mundë të shndërrohen në diskriminim formal dhe joformal si dhe shkelje e të drejtave të njeriut. Të gjitha këto terma u ilustruan me shembuj real të marrë nga situatat e krijuara në shoqërinë kosovare. Znj. Arijeta Himaduna vazhdoi trajnimin duke ofruar njohuri të mëtejshme rreth gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes së publikut dhe të gjitha palëve të interesit në planifikimin hapësinor, duke nënvizuar gjithmonë perspektivat gjinore gjatë procesit. Përmbajtja gjithashtu u përpunua dhe u diskutua më detalisht gjatë ushtrimeve të përgatitura enkas. Ushtrimet kishin të bënin me përmirësimin e hapësirave publike dhe pjesëmarrësit përmes punës grupore duhej të shprehnin opinionet bazuar në prapavijën e tyre gjinore, profesionale dhe kulturore.

Në fund, të gjithë pjesëmarrësve iu ndanë në mënyrë ceremoniale certifikatat e pjesëmarrjes.

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje