Lajme dhe Ngjarje

U hap shqyrtimi publik përfundimtar për Planin Zhvillimor Komunal të Malishevës 2017-2025 dhe Vlerësimin Strategjik Mjedisor

Hapja e shqyrtimit publik të Planit Zhvillimor Komunal të Malishevës 2017-2025 dhe Vlerësimit Strategjik Mjedisor shënoi arritjen e këtyre dokumenteve strategjike zhvillimore komunale në hapin përfundimtar të tyre. Si vazhdimësi e prezantimeve publike, diskutimeve dhe punëtorive me palë të ndryshme të interesit, përmes të cilave është ndërtuar qasja pjesëmarrëse gjatë gjithë procesit të hartimit, ky shqyrtim publik do të ofrojë një mundësi për qytetarët që të japin komentet, sugjerimet dhe propozimet mbi draftet e paraqitura të planeve para finalizimit të tyre.

Shqyrtimi publik u hap më 15 shtator në sallën e Kuvendit Komunal. Përveç qytetarëve, në shqyrtim publik ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, udhëheqësja e Programit të UN-Habitat në Kosovë, përfaqësues të MMPH-së, përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe zyrtarë komunal.

Në fjalën e hapjes, kryetari i komunës së Malishevë, Ragip Begaj, vlerësoi Planin Zhvillimor Komunal si një dokument me rëndësi të veçantë për Malishevën. Kryetari shprehu mirënjohjen e tij për ekipin hartues, si dhe për UN-Habitat dhe MMPH për mbështetjen e dhënë gjatë procesit. Gjithashtu, kryetari i komunës theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes së publikut dhe kontributin e tyre në proces.

Në fjalën e saj, udhëheqësja e Divizionit për Planifikim Hapësinor në kuadër të MMPH, Suzana Goranci, theksoi rëndësinë e këtij dokumenti, i cili është hartuar në pajtim me Ligjin e ri për Planifikim Hapësinor. Znj. Goranci theksoi se Plani Zhvillimor Komunal, si një dokument strategjik, i paraprin dokumentevetjera të planifikimit hapësinor në nivel rregullativ.

Udhëheqësja e Programit të UN-Habitat në Kosovë, Gwendoline Mennetrier, theksoi rëndësinë e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal me kapacitetete vetanake të komunës, që ka kontribuar edhe në rritjen e kapaciteteve profesionale komunale. Duke pasur parasysh se Malisheva është komuna e parë e cila e ka hartuar Planin Zhvillimor Komunal në bazë të Ligjit të ri për Planifikim Hapësinor, kjo duhet të shihet edhe si një mundësi për shkëmbimin e përvojave profesionale të Malishevës me komunat tjera.

Plani Zhvillimor Komunal 2017-2025 dhe Vlerësimi Strategjik Mjedisor u prezantuan nga koordinatorja e ekipit komunal të hartimit, Valdete Morina. Znj. Morina prezantoi komponentët kryesor të këtyre dokumenteve, duke filluar nga vlerësimin i situatës, elementet orientuese strategjike, si dhe hapat konkretë në planin e veprimit.

Si pjesë e shqyrtimit publik që do të zhvillohet gjatë periudhës 15 shtator - 15 tetor, janë parashikuar prezantime publike edhe në fshatrat e komunës së Malishevës. Qytetarët mund të qasen në këto dokumente nëpërmjet web-faqes së komunës, si dhe drejpërdrejtë përmes dokumenteve të prezentuara në hollin e ndërtesës së komunës. Komentet dhe sugjerimet që do të jepen gjatë kësaj periudhe do të merren parasysh si kontribut final në përfundimin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe Vlerësimit Strategjik Mjedisor.

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje