Lajme dhe Ngjarje

UN-Habitat, PAX dhe Komuna e Vushtrrisë zyrtarisht filluan periudhën e re të bashkëpunimit në fushën e Planifikimit Hapësinor dhe qeverisjes lokale

Sot në hapësirat e Komunës së Vushtrrisë, z. Bajram Mulaku (Kryetar, Komuna e Vushtrrisë), znj. Gwendoline Mennetrier (Krye-këshilltare teknike, UN-Habitat) dhe znj. Florentina Hajdari (në emër të z. Michael James Warren, Menaxher i programit, PAX), nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, që paraqet kornizën e bashkëpunimit për nxitjen e zhvillimit gjithëpërfshirës dhe qeverisjes së mirë përmes zhvillimit të planifikuar me komunitete të integruara në të gjitha fazat e planifikimit dhe zbatimit, si dhe brenda kornizës së bashkëpunimit efektiv ndër-komunal dhe qeverisjes me shumë nivele.

Përmes këtij memorandumi të tri palët ranë dakord të bashkëpunojnë ngushtë në: avancimin e zhvillimit të qëndrueshëm të Komunës së Vushtrrisë, nëpërmjet proceseve të planifikimit strategjik, gjithpërmbledhëse dhe gjithëpërfshirëse si dhe vendim-marrjes së informuar kundrejtë projekteve të investimeve kapitale; forcimin e kontratës sociale përmes rritjes të transparencës së qeverisjes lokale, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien përmes mobilizimit të shoqërisë civile dhe dialogut publik; si dhe mbështetjen e bashkëpunimit ndërkomunal dhe bashkëpunimin e nivelit lokal-qendror për planifikim të qëndrueshëm dhe ofrimin e shërbimeve më të mirë për qytetarët. Që kjo të ndodhë, palët ranë dakord për t'i dhënë fokus të veçantë forcimit të kapaciteteve të komunës dhe organizatave të shoqërisë civile në planifikim hapësinor dhe territorial, menaxhim si dhe çështje të qeverisjes lokale.

Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua me kënaqësi nga z. Bajram Mulaku, i cili tha se ky program i ri që do të zbatohet nga UN-Habitat dhe PAX së bashku me Community Building Mitrovica (CBM), do të jetë një mbështetje e madhe  për Departamentin e Urbanizmit në forcimin e kapacitetet ekzistuese për proceset e ndryshme të planifikimit (hartën zonale, projektet e investimeve kapitale, etj). Në anën tjetër, znj. Gwendoline Mennetrier përshëndeti nënshkrimin e këtij memorandumi, si hap i parë drejt bashkë- zbatimit të programit. Përveç kësaj, znj Mennetrier theksoi nevojën e bashkëpunimit të përbashkët dhe angazhimit të të gjitha palëve në marrjen dhe zbatimin e përgjegjësive të tyre, ashtu siç thuhet në memorandum. Znj. Florentina Hajdari (në emër të CBM) theksoi rolin e CBM-it në rritjen e bashkëpunimit në mes të autoriteteve komunale, komuniteteve dhe shoqërisë civile. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe z. Dibran Perçuku (Nënkryetar), z. Haki Maloku (Zyrtar Ligjor, Zyra e Kryetarit të Komunës), z. Sami Istrefi (Drejtor për Urbanizmëm dhe Mjedis).

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje