Lajme dhe Ngjarje

UN-Habitat dhe PAX zyrtarisht nënshkruan bashkëpunimin me Komunën e Skenderajt në fushën e planifikimit hapësinor dhe qeverisjes lokale

Të mërkurën (2 nëntor 2016), UN-Habitat-i, PAX-i dhe Komuna e Skenderajt kanë zyrtarizuar fillimin e bashkëpunimit në fushën e planifikimit hapësinor dhe qeverisjes lokale. Memorandumi i Mirëkuptimit u nënshkrua nga znj. Gwendoline Mennetrier (Krye-këshilltare teknike, UN-Habitat), z. Fadil Nura (zëvendës Kryetar, Komuna e Skenderajt) dhe z. Michael James Warren (PAX) përfaqësuar nga znj. Florentina Hajdari.

Në ceremoninë e nënshkrimit, z. Fadil Nura theksoi rëndësinë e këtij memorandumi, duke thënë se ky bashkëpunim me UN-Habitat-in erdhi në momentin e duhur për komunën, pasi që departamentet përkatëse janë duke menaxuar procesin e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal dhe inicimin e Hartës Zonale të Komunës. Zëvendës Kryetari theksoi se ky Memorandum paraqet një shtytës të mirë në drejtim të përmirësimit të bashkëpunimit në mes të qytetarëve dhe autoriteteve lokale.

Në anën tjetër, znj. Gwendoline Mennetrier përshëndeti gatishmërinë e përfaqësuesve komunal për formalizimin e këtij bashkëpunimi, duke theksuar nevojën për koordinim të shtuar dhe bashkëpunim më të ngushtë në mes të të gjitha palëve gjatë procesit të hartimit të dokumenteve të planifikimit. Në mënyrë që të ketë sukses, të gjitha palët duhet të marrin dhe të zbatojnë detyrat dhe përgjegjësitë përkatëse, sidomos duke pasur parasysh se Plani Zhvillimor Komunal është bazë strategjike për hartimin dhe posedimin e një Harte Zonale të duhur të Komunës.

Përveç kësaj, theks i veçantë i është dhënë konsultimit dhe përfshirjes së qytetarëve gjatë procesit të hartimit dhe zbatimit të dokumenteve të planifikimit (Planit Zhvillimor Komunal, Hartës Zonale). Organizata CBM do të jetë mbështetëse në këtë drejtim, sidomos përmes organizimit të debateve publike dhe konsultimit të qytetarëve rreth çështjeve të zhvillimit urban.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm edhe z. Lulzim Kadriu (Drejtor për Gjeodezi dhe Kadastër) dhe z. Driton Mulaj (Drejtor për Urbanizëm dhe Mjedis).

 

 

 

 

Kontaktet

UN-HABITAT zyra në Kosovë

Kati i 10-te 10000 Prishtina, Kosovo
Telefoni: +381 38 200 32611;
Faksi: +381 38 224 122
E-mail: info@unhabitat-kosovo.org

Fillimi > Qendra Mediale > Lajme dhe Ngjarje